Ministri i Bujqësisë, Faton Peci deklaroi se këtë vit deri më tani janë 16.593 fermerë të cilët kanë përfituar grante në fushën e bujqësisë, nga programi që kap vlerën e mbi 26 milionë eurove.

Peci në një konferencë për media, tha se shpallja ka qenë e hapur për të gjithë të cilët dëshirojnë të japin kontribut që të jenë pjesë e monitorimit në këtë program.

Peci: Programi kap një shifër mbi 26 milionë eurove

“Në bashkëpunim me shoqëritë civile, ne kemi bërë një shpallje publike të hapur për të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, njohës të fushave të cilët dëshirojnë të japin kontribut që të jenë pjesë e monitorimit, në programin i cili kap një shifër mbi 26 milionë eurove në kuadër të programit të granteve”, thotë ai.

Ai po ashtu tha se nisja e procesimit të subvencioneve u bë në javën e tretë të gushtit, duke shtuar se ka nisur edhe procesi i pagesave direkte.

Peci njoftoi se për një periudhë dy javore MBPZhR-ja, ka proceduar për pagesë gjithsej 24.5 milionë euro për bujqit përfitues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022.

Peci: Përfitues deri në këtë fazë janë 16,593 aplikues

“Për një periudhë dy javore ne kemi arritur që të distribuojmë gjithsej shifrën monetare prej 24.5 milionë euro për bujqit të cilët kanë aplikuar në programin e pagesave direkte për vitin 2022. Në kuadër të kësaj përfitues deri në këtë fazë janë 16,593 aplikues”, thotë ai.

Peci shtoi se procesi i aplikimit për grante është mbyllur javën e kaluar.

MBPZhR-ja përmes kësaj konference u bëri thirrje të gjithë fermerëve të cilët kanë qenë kultivuesit e grurit të deponojnë dëshmitë e tyre te drejtoritë komunale për Bujqësi deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00./TV Malisheva

Share.