Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas emërimeve të fundit në bordet e ndërmarrjeve publike, duke i quajtur ato vendime politike të qeverisë në ikje, e cila nuk ka legjitimitet.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj tha se shkarkimet dhe emërimet në borde janë dëshmi e qartë e përpjekjes së kryeministrit të shkarkuar për të kapur shtetin.

“Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit. Partia Demokratike e Kosovës deklaron se këto veprime e çojnë vendin prapa duke rrënuar përpjekjet e deritanishme për të ndërtuar borde sa më profesionale që shmangin punësimin e militantëve partiakë. Kujtojmë këtu se kryetari i partisë sonë Veseli, nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë, ka përfshirë një kompani profesionale angleze për të ndihmuar në rekrutime sa më profesionale e meritokratike në bordet e ndërmarrjeve publike”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka legjitimitet të ndërmarrë veprime apo vendime të rëndësishme.

“Ajo që i bën edhe më të rënda këto vendime, është fakti që ato po vijnë nga një qeveri e shkarkuar me mbi 2/3 e votave të popullit të shprehura nëpërmjet të deleguarve të tyre në parlament. Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë së shkarkuar të Kurti që të ndali shkarkimet e paligjshme, punësimet e klienteliste e nepotike, si dhe çdo vendim tjetër të rëndësishëm sepse është një qeveri e shkarkuar në largim Qeveria në ikje e Kurtit, duhet ta kuptojë njëherë e mirë, që s’ka legjitimitet të ndërmarrë veprime apo vendime të rëndësishme por thjesht duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore derisa të zëvendësohet nga një qeveri e re”, tha ai./ Tv Malisheva

Share.