Dy të dyshuarit e arrestuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçe janë vëllezër mes vete. Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit E.R., dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Teksa në arrati ndodhen edhe Xh.S., dhe G.J.
Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.
“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria.
Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.
Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.
“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër sh/k ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj sh/k janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.
Burimet e sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari i moshës madhore që ra në prangat e Policisë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast është Ekrem Rexhepi, 26-vjeçar, kurse i dyshuari tjetër që u arrestua është i mitur, G.R., 16-vjeçar.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 26-vjeçarit është mbajtur sot pas orës 13:00.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit ndaj një të miture.
“Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore.