Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nuk pranojnë asnjë kushtëzim në kurriz të fëmijëve nga BSPK-ja për ndërprerje të grevës, e cila ka filluar më 25 gusht dhe ende po vazhdon.
Në një konferencë për media, Murati theksoi se grevistët nuk do të paguhen për ditët e humbura të punës, derisa shtoi se SBASHK-u për pesë vjetët e fundit ka marrë nga anëtarësia mbi 3 milionë euro dhe duhet t’i paguajë vetë grevistët.
Murati: Nuk pranojmë që të ketë kushtëzime në kurriz të fëmijëve
“Nuk pranojmë kushtëzime në kurriz të fëmijëve, pasi kërkesa të tilla mund të bëhen edhe pa i dëmtuar fëmijët. Ka raste kur protestat dhe grevat bëhen jashtë orarit të rregullt mësimor dhe fëmijët nuk dëmtohen. Në këtë rast, konsideroj se kjo më tepër është manipulim me stafin nga ana e sindikatës sesa ka kërkesa dhe brenga të sinqerta”, tha ai.
Sipas tij, greva duhet të ndërpritet, pasi në mesin e muajit shtator do të dërgohet në Kuvend, Projektligji për paga.
Murati: Nuk duhet të kishte greva
“Si qeveri nuk mendojmë se do të duhej të kishte grevë, kërcënime dhe shantazhe të këtij lloji, siç kanë ndodhur çdo vit po thuajse. Asnjë vit prindërit nuk janë të sigurt nëse fëmijët do të shkojnë në shkolla më 1 shtator… Të rikthehet në punë stafi arsimor pasi nga kjo humbin nxënësit”, shtoi ai.
Ai tha se ligji, por edhe praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin t’i paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë.
Murati: Nuk obligohet punëdhënësi t’i paguajë punëtorët kur janë në grevë
“Praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin të paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë. Besoj se si gazetarë dhe medie, po edhe sindikalistët mund të shikojnë dhe të gjejnë rastet në Evropë, siç janë Suedia, Norvegjia, madje edhe Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, pra kudo kur punëtorët hynë në grevë, grevistët mbulohen nga sindikata. Çdo sindikatë ka kontributet që mbledh nga anëtarët e saj dhe e krijon fondin për greva. Në këtë rast kur vendoset të hyhet në grevë, punëtorët kompensohen nga ai fond për ditët që nuk janë në punë”, theksoi ai.
Madje, në bazë të kalkulimeve të ministrit Murati, në muajin gusht rreth 90 euro do t’iu ndalen grevistëve për mos punë.
Murati: Për muajin gusht diku 90 euro do t’iu ndalen grevistëve për mos punë
“Vetëm nga këto ditë që janë në grevë, pra pesë ditë pune, kur përkthehet në mungesë dhe mos punë, i bie diku 90 euro, mungesa në pagë që do të jetë për këtë muaj. Pasi kanë punuar dhe llogaritet se kanë punuar deri më 24 gusht”, theksoi ai.
Më 25 gusht ka filluar greva e punonjësve të arsimit dhe të administratës në Kosovë. Ata po kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./TV Malisheva