Ministri i Brendshëm i Kroacisë ka deklaruar se vendi i tij nuk do të pranojë refugjatë që hyjnë në këtë vend nga Bosnjë-Hercegovina fqinje. Paralajmërimi vjen ndërkohë që Sarajeva zyrtare ka akuzuar Zagrebin për cenim të tërësisë tokësore të Bosnjë-Hercegovinës. Ditët e fundit, BE-ja i ka akorduar Bosnjë-Hercegovinës dhjetë milionë euro në përpjekjet për t’u përballur me sukses me valën e migrantëve të cilët e shfrytëzojnë këtë vend për të kaluar në ndonjërin nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Vjeshta dhe dimri që po afrojnë duket se kanë për të shpërfaqur sërish problemin e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Krahas Greqisë e Italisë si trambolinë për të kaluar në Perëndim, Bosnjë-Heregovina – mbetet destinacioni i parë. Ëndrra, por edhe problemet nisin që këtu: Republika Serpska nuk pranon kurrfarë hapjeje të ndonjë qendreje për vendosjen e tyre. Sllovenia ka vazhduar ngritjen e gardhit me tela gjemborë përgjatë kufirit me Kroacinë, ndërkohë që kjo e fundit akuzon autoritet në Bosnjë-Hercegovinë se po ndihmojnë migrantët të kalojnë në këtë vend, duke i vendosur në afërsi të kufirit:

‘Bosnjë-Hercegovina, në të vërtetë autoritetet e saj, i vendosin migrantët në afërsi të drejtpërdrejtë të kufirit kroat me mesazhin: ‘Shkoni atje, atje është Kroacia’! Mesazhi ynë është: ‘Kur të vini atje ku mendoni, aty është policia kroate dhe nuk do të kaloni’! Kroacia nuk do të lejojë migrime ilegale!’- tha për televizionin kroat, të dielën në mbrëmje, ministri i Brendshëm Davor Bozhinoviq.

Fundjavën e kaluar, ministri i Sigurisë, i Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Mektiq, kishte akuzuar Kroacinë për kthim të jashtëligjshëm të refugjatëve, por edhe për cenim të tërësisë tokësore të vendit të tij, pas njoftimeve se herë-herë policët kroatë depërtojnë pa problem edhe në brendi të territorit të Bosnjës, madje edhe duke përdorur armët në përpjekje për të penguar hyrjen e të huajve:

‘Migrantët që Kroacia i pranon në bazë të riatdhesimit nga Sllovenia ilegalisht i kalon në territorin e Bosnjë-Hercegovinë. Ky është bërë një incident serioz para së gjithash dhe ne tani jemi në një situate që seriozisht të mendojmë si të mbrojmë para së gjithash tërërsinë tokësore,’ – ka deklaruar ministri i Brendshëm, Dragan Mektiq për median në Sarajevë duke hedhur poshtë pretendimet kroate për dëbim të organizuar të migrantëve nga Bosnja në Kroaci.

Sipas autoriteteve në Sarajevë, nga janari i vitit 2018 e deri muajin e kaluar në Bosnjë kanë hyrë rreth 36 mijë refugjatë e migrantë. Organizata Ndërkombëtare për Migrantët thotë se aktualisht ka afro 7. 500 migrantë, kurse 4. 500 prej tyre janë të strehuar zyrtarisht. Me qëllim të zbutjes së problemit Bashkimi Evropian i akordoi këtij vendi një ndihmë prej dhjetë millionë eurosh.

Share.