Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten ka deklaruar se çmimet e gazit natyror duhet të kufizohen përkundër krizës energjetike që po përjetohet në Evropë.
Nga llogaria e saj në Twitter, Van der Straeten bëri një postim lidhur me rritjen e shpejtë në çmimet e gazit natyror dhe energjisë elektrike në Evropë.
Ajo tha se vendet e Bashkimit Evropian (BE) duhet të zbresin “në burimin e problemit të energjisë” dhe theksoi se duhet të punohet për të ngrirë çmimet e gazit natyror.
“Nëse nuk bëjmë asgjë, 5-10 stinët e ardhshme të dimrit do të kalojnë në mënyrë të tmerrshme. Sot çmimi i prodhimit të energjisë elektrike, është shumë më i ulët se çmimi që shitet energjia elektrike dhe gazi natyror. Tashmë nuk ka mbetur ndonjë lidhje mes kostos së prodhimit dhe çmimit të shitjes. Është e nevojshme që të rishikohet sistemi i formimit të çmimit të energjisë elektrike në Evropë”, deklaroi Van der Straeten, duke tërhequr vëmendjen që ngrirja e çmimeve të gazit natyror mund të pakësojnë faturat elektrike të familjeve deri në 770 euro.
Edhe pse energjia elektrike prodhohet tashmë me çmimin e vitit të kaluar, ajo po shitet me çmime rekord, deklaroi Van der Straeten, e cila vuri në dukje rëndësinë për të luftuar me fitimin ekstrem në këtë fushë.
Ajo tërhoqi vëmendjen që Belgjika këtë çështje e ka ndarë me Komisionin e BE-së dhe se menjëherë duhet të kalohet në veprim dhe të merret një vendim.
Van der Straeten shtoi se Bordi Këshillues ditën e mërkurë do të zhvillojë një takim për të diskutuar krizën e energjisë në Belgjikë.
Pritet që së shpejti ministrat e energjisë të vendeve anëtare të BE-së të zhvillojnë në takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar krizën e energjisë.
Disa vende të BE-së përfshirë edhe Belgjikën kanë kërkuar zbatimin e çmimit tavan në gazin natyror. Komisioni i BE-së po përpiqet të përcaktojë një qëndrim të përbashkët duke kryer bisedime me vendet anëtare për këtë çështje. /Telegrafi/