Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka përgëzuar arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e targave.
Në samitin për “Ballkanin e Hapur” që po mbahet në Beograd, Abazoviq tha se konflikti duhet të zgjidhet dhe se ushtritë nuk duhet të dërgohen më nëpër kufi.
Shtoi se rajoni ka përcjellë mesazhin që shtetet mund të ulen në një tryezë bisedimesh.
“Dua të përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti, për marrëveshjen në ditët e shkuara. A duhet të zgjidhim konfliktin, a duhet të dërgojmë ushtrinë nëpër kufi, a nuk na ka ardhur në majë të hundës me këtë. Apo duhet të zgjedhim të njohim dokumentet e njëri-tjetrit, apo duhet të arrijmë në situatë që të mos e kemi as edhe këtë kufi, që ky dokument të mos jetë aq i rëndësishëm. Kjo është e ardhmja e këtij rajoni. Ky rajon po përçon mesazhe që ne mundemi të ulemi në tryezë”, theksoi Abazoviq.
Ai tha se pret që Mali i Zi shpejt t’i bashkohet nismës së “Ballkanit të Hapur”.
Më 1 shtator ka nisur procesi i riregjistrimit të automjeteve me targat që lëshohen nga Serbia, me akronime të Kosovës, sikurse KM, PZ e të ngjashme. Kosova i konsideron ilegale këto targa dhe ka thënë se me procesin e riregjistrimit, qytetarët në veri do të përfitojnë lehtësira të tjera tatimore, që mund të arrijnë vlerën e 5.000 eurove.
/TV Malisheva