Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nëse Kosova do të ishte në “Ballkanin e Hapur” do të zgjidhte me kohë çështjen e lëvizjes së lirë me Serbinë.

Në konferencën për medie të samitit të “Ballkanit të Hapur”, që po mbahet në Beograd të Serbisë, Rama tha se refuzimi i Kosovës karshi kësaj nisme është i gabuar.

Rama: Refuzimi i Kosovës ndaj “Ballkanit të Hapur” është i gabuar

“Zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur është një zgjidhje e kornizës së “Ballkanit të Hapur” në sensin se ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti prej kohësh. Sot ata që lëvizin nga Shqipëria për Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe anasjelltas s’kanë nevojë për pasaportë. Thash po ashtu, nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Unë jam i bindur me kohë, s’thash se këtë e ka zgjidhur kjo treshe, apo Shqipëria dhe unë kemi luajtur ndonjë rol. Është kjo frymë, kjo rrugë dhe këto principe të ‘Ballkanit të Hapur’ që po jetësohen dita ditës. E kam thënë shumë hapur dhe i kam thënë edhe presidentit se ka konfirmuar qasjen e presidentit Vuçiq dhe neve që jemi pjesë e kësaj nisme në raport me lëvizjen e njerëzve”, tha ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se ka interes të madh për bashkëpunim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, megjithëse potencoi se ka dallime për Kosovën.

Vuçiq: Ka interes për bashkëpunim serbë – shqiptarë, ka dallime për Kosovën

“Kur shtatë vjet më parë Edi erdhi në Beograd dhe unë erdha në Tiranë, e shihnim njëri-tjetrin në skajet e një fushëbeteje. Ai më foli për Kosovën, unë i fola për Kosovën. Tashmë ne i shohim dallimet tona, gjërat që i shohim ndryshe, megjithatë shohim një interes shumë të madh të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve”, theksoi Vuçiq.

Në konferencën e sotme për medie, kryeministri Rma tha se pret një dimër të vështirë energjetik në rajon, ndërkohë i bëri thirrje Brukselit që t’iu dalë në ndihmë përmes fondeve./TV Malisheva

Share.