Chelsea dhe Barcelona e kanë konfirmuar se kanë arritur marrëveshje për transferimin e Pierre-Emerick Aubameyang në çastet e fundit të merkatos verore.
Aubameyang rikthehet në Premier Ligë pas tetë muajve me Barcelonën, tek e cila u transferua si lojtar i lirë pasi që e shkëputi kontratën e tij me Arsenalin, përcjellë TV Malisheva.
Reprezentuesi gabonez ribashkohet me ish-trajnerin e tij te Dortmundi, Thomas Tuchel, ndërsa ky i fundit në konferencën për media foli për transferimin e Aubameyang dhe shkallën e lëndimit të tij.
Tuchel tha se Aubameyang është tejet i lumtur që është rikthyer në kampionatin anglez, dhe se ai është një lojtar i cili di si të shënoj gola.
“Ju e dini se çfarë vjen me Aubameyangun dhe ai ishte tejet i lumtur që po rikthehej në Premier Ligë. Ai di si të shënoj gola”, tha Tuchel.
Ndërkaq, para se të siguroj transferimin te Chelsea, Aubameyang kishte qenë pjesë e një incidenti, ku disa grabitës kishin hyrë në shtëpinë e tij, duke e mbajtur të lidhur për disa orë dhe duke e rrahur, gjë që rezultoi që sulmuesi të pësojë frakturë në nofull.
Tuchel tani ka përditësuar gjendjen e Aubameyang, duke thënë se atij do t’i duhet të pres për ta bërë debutimin e tij te Chelsea.
“Momentalisht, ai nuk mund të stërvitet. Neve na duhet që t’i japim atij një maskë për ta mbrojtur nofullën e tij, dhe pastaj do të na duhet të provojmë stërvitjen me maskë nga java e ardhshme”, tha Tuchel.
Meritorët në sigurimin e transferimit të Aubameyang te Chelsea ishin Todd Boehly dhe Behdad Eghbali, të cilët arritën ta mbyllin marrëveshjen për 12 milionë euro, dhe jo 25 milionë euro sa kërkonte Barcelona.
/TV Malisheva