Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka deklaruar se për shkak të mosveprimeve ose veprimeve të gabuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht e financiarisht gratë dhe vajzat dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar, prandaj reforma në drejtësi mundëson që në sistemin e drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet të plotë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë
Haxhiu i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ku edhe njofton se vetingun po e dërgojnë për votim në Kuvendin e Kosovës.
Ajo tha se në qershor kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Vetingut përmes mekanizmit të jashtëm kushtetues për vetingun për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë, që përfshinë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës, kryeprokurorët e prokurorive dhe gjithë kryetarët e gjykatave.
Haxhiu: Reforma mundëson që në sistemin e drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet moral dhe profesional
“Po e dorëzojmë në Kuvend një proces me peshë të madhe për ne si qeveri, për shtetin por sidomos për qytetarët e Kosovës që siç e dini me ngulmë po e kërkojnë reformën në drejtësi. Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandeshmushmërisë. Gjyqtarët dhe prokuroret konsiderohen se kanë pagat më të mëdha në rajon por për shkak të mosveprimeve ose veprimeve të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht, financiarisht gratë dhe vajzat dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar. Reforma në drejtësi mundëson që në sistemin e drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet të plotë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë”, tha ajo.
Sipas saj, gjyqtarët dhe prokurorit nuk duhet t’i interesojnë emrat e personave që hetohen apo gjykohen.
Haxhiu: Nuk duhet të shikohet kush po hetohet apo gjykohet por çfarë vepre ka kryer
” Ne jemi të bindur që kur të përmbyllet paketa ligjore dhe pastaj nis funksionimi i kësaj refomre, do të jetë shpresë për qytetarët sepse në sistemin e drejtësisë do të ketë persona që integritetin e lartë, moral dhe profesional, gjyqtarit dhe prokurori nuk duhet të interesoj emri i përvetshëm i personit që hetohet apo gjykohet apo pozicioni që ka por vepra që ka bërë. Ata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe jo grupeve të interesit apo individëve, prandaj për këtë arsye ne kemi punuar gjatë kësaj periudhe për ta përballuar me sukses reformën në drejtësi”, tha ai.
Ministrja Haxhiu u ndal edhe te rasti i dhunimit të 11 vjeçares, ku ka thënë se pas asaj që kanë ndodhur, është parë se kanë ndodhur dy dorëheqje dhe shpresojmë që të ketë edhe tjera për faktin se ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët nuk i kanë kryer detyrat e tyre siç duhet në rastin që i ndodhi të miturës në qershor të këtij viti.
Haxhiu: Është shumë e rëndësishme që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të jap dorëheqje
“Po të vepronte prokuroria, sigurisht se ata persona do të arrestoheshin shumë më herët dhe vepruan vetëm dy muaj pas, andaj edhe është shumë e rëndësishme që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të jap dorëheqje. Ne po ashtu, edhe brenda Ministrisë së Brendshme, edhe brenda Ministrisë së Drejtësisë, jemi duke i identifikuar personat përgjegjës që janë të ndërlidhura në një formë apo në një tjetër me rastin në mënyrë që të marrin veprime edhe ndaj atyre “, tha ajo, ku edhe dha përgjigje për të gjitha kërkesat e protestuesve lidhur me dhunën ndaj grave.
Ajo shtoi se brenda 30 ditëve do të bëhet një plan për rehabilitimin e të burgosurve./TV Malisheva