Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar një letër nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Në këtë letër, sipas mediave serbe, Macron e Scholz i kanë kërkuar Vuçiqit “gatishmëri për vendime të vështira”.
“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e gjata dypalëshe dhe rajonale”, thuhet në letrën e Macron dhe Scholz.
Ata kanë thënë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
“Ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara janë të nevojshëm urgjentisht, si në planin praktik dhe politik”, thuhet në letër./TV Malisheva