Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nga informacionet e para që i kanë, 11-vjeçarja ishte dhunuar për më shumë se një vit.
“S’mund të them saktësisht kur ka filluar, sepse çështja është nën hetim, por mund të them se është mbi një vit. Jemi duke hetuar, informatat e para janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit”, ka thënë Sveçla në konferencën e sotme për medie.
Sveçla ka ftuar kryeinspektoratin e Policisë së Kosovës për të hetuar dështimet në rastin e 11-vjeçares, e cila ishte raportuar e zhdukur që nga qershorit dhe vetëm në fund të muajit të kaluar janë arrestuar 11 persona.
Ai deklaroi se nuk do të amnistohet askush dhe do të hetojnë deri në fund të gjithë përgjegjësit e këtij rasti.
“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur këtë të mitur. E pastaj edhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur dhe gjithë dhunuesit, të cilët ende jo të gjithë nuk janë arrestuar. Unë pres që Policia e Kosovës të angazhohet maksimalisht, që e gjithë e vërteta të zbulohet në mënyrë urgjente”, ka thënë ai.
Ndryshe, përdhunimi i 11-vjeçares ka shkaktuar reagime të ashpra dhe protesta të shumta. /TV Malisheva