Nga 21 deri më 25 shtator kampioni i Kosovës në basketboll Ylli duhet të jetë në Portugali, aty ku zhvillohen ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve për edicionin 2022/23.

Por frika që klubi ta humb këtë rast është shumë e madhe sepse tani kur kanë mbetur më pak se dy javë, lojtarët dhe stafi nuk po arrijnë që të pajisen me viza për të udhëtuar drejt këtij shteti.

Drejtori sportiv i klubit, Egzon Fetiu i ka thënë të martën se janë katër lojtarë dhe tre anëtarë të stafit që po kanë probleme serioze për t’u pajisur me viza dhe kjo mund të bëjë që të dështojë pjesëmarrja e klubit në këtë garë.

Për ta ndihmuar klubin që të mos shkojë drejt këtij dështimi është aktivizuar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës.

Kryetari i saj, Arben Fetahu, ka thënë se pajisja me viza është problem serioz për të gjitha klubet. Ai shtoi se në këtë rast, lojtarët së pari duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar në Bullgari dhe pastaj nga ky shtet të aplikojnë për vizë të Portugalisë, një proces ky mjaftë i vështirë dhe i mundimshëm.

Fetahu: Pajisja me viza problem serioz për klubet tona

“Obligimi i pajisjes me viza vërtetë është obligimin me të cilin përballen vetëm ekipet e Kosovës sot në Evropë dhe është një gjë e cila po bëhet çdo ditë e më e panjohur për të gjitha ekipet pjesëmarrëse aty, madje edhe për FIBA-n, për shkak se jemi të vetmit në Evropë për udhëtimin e të cilëve kërkohet vizë, prandaj po kemi paksa telashe. Edhe në komunikim të cilin e kemi pasur drejtpërsëdrejti me Federatën portugeze edhe me Ministrinë e Jashtme të Portugalisë edhe ambasadën e tyre në Bullgari, për shkak se është Ambasada e Portugalisë në Bullgari kompetente për lëshimin e vizave për shtetasit e Kosovës, ndërsa edhe për të shkuar në Bullgari, neve si shtetas të Kosovës na nevojiten viza”, tha Fetahu.

I pari i FBK-së ka bërë thirrje që të angazhohen edhe institucionet shtetërore për ta zgjidhur këtë çështje sepse, sipas tij, ka pasur edhe shumë raste të ngjashme në të kaluarën që klubet e basketbollit janë përballur me vështirësi në pajisjen me viza dhe kështu kanë rrezikuar pjesëmarrjen në ndeshjet e nivelit ndërkombëtar.

Fetahu: Na duhet ndihma e shtetit që t’i sigurojmë vizat për KB Yllin

“Jemi si federatë duke u përpjekur që t’iu ndihmojmë aq sa është e mundur. Shpresoj që edhe institucionet do ta bëjnë punën e vet për të ndihmuar që të pajisen me viza në mënyrë që mos shkuarja atje të mos iu atribuohet në asnjë mënyrë problemeve të cilat mund t’i kenë me vizat dhe pajisjen me to. Ne kemi shumë probleme të tilla në federatë. Janë probleme të cilat federata tjera simotra nuk përballen për shkak se nuk e kanë këtë problem por njëjtë sikur qytetarët e Kosovës, edhe ne jemi mësuar që t’i përballojmë këto telashe dhe të pajisemi me viza për të udhëtuar atje ku neve na nevojiten… Unë besoj që Ylli do të vazhdojë dhe do të shkojë atje. Ne kemi pasur shumë raste në të kaluarën, pa ekzagjerim mund të them, me dhjetëra raste në të kaluarën kur pajisja me vizë ka ndodhur dy ditë para udhëtimit, por ka ndodhur megjithatë. Unë jam i bindur se një situatë tjetër nuk do ta kemi edhe në këtë rast, por kjo nuk na jep luksin që ne të qetësohemi dhe relaksohemi e të themi që do të kryhet gjithçka, por duhet të vazhdojmë të punojmë tutje dhe të përpiqemi që ta gjejmë një zgjidhje për këtë situatë.”, tha Fetahu.

Sfidën e parë, Golden Eagle Yllli do ta zhvillojë më 21 shtator kundër Benfikës, gjithmonë nëse lojtarët pajisen me viza për të udhëtuar drejtë Portugalisë./TV Malisheva

Share.