Kryetari I Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në Postribë të Shkodrës, ku u përkujtua kryengritja e Postribës, që u cilësua prej tij si kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri.

“Është një nder i madh për mua t’u përshëndes përzemërsisht, të përulem me nderimin më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme përpara luftëtarëve të lirisë të Postribës dhe Shkodrës, që 76 vjet më parë vendosën t’i përgjigjen me rezistencë të armatosur, me kryengritje, një pushtimi barbar që do instalohej në Shqipëri më 28 nëntor 1944”, tha Berisha.

“Ky pushtim për shqiptarët ishte i dyfishtë në ato vite. Ishte pushtim i vendosjes së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Dhe unë u rikujtoj ju këtu, u rikujtoj shqiptarëve se vrasësi seria që komandoi hordhitë partizane në Shkodër dhe veri, Mehmet Shehu, do i shkruante Enver Hoxhës: se në kufirin ushtarak, Shkodrën e vendosëm nën pushtim. Ai thotë një të vërtetë të pamohueshme. Të tillë, pushtim e konsideruan qytetarët e Shkodrës, banorët e Postribës dhe veriut në tërësi”.

Berisha tha se sot, 76 vite më pas, Shqipëria është në një rrezik të madh për vendosjen sërish të sistemit njëpartiak, sipas tij. “Sepse ajo përjeton vendosjen e monizmit, e pushtetit të një partie, të përqendruar në duart e një cubi që nuk ka moral, që nuk ka nder, që nuk ka asgjë, që vjedh e plaçkit qytetarët shqiptarë çdo ditë. Ky është Edi Rama. Përdor çdo fatkeqësi ndaj tyre për t’i shtypur, për t’i shfrytëzuar, për t’i vjedhur më shumë. Çfarë bëri me Covid-19? Nxori tanket, nga ana tjetër vidhte çdo ditë, ndaj edhe vdekshmëria e shqiptarëve shkoi në qiell. Çfarë po bën me këtë krizë? Të njëjtën gjë. Me rritjen e çmimeve fiton qindra milionë, qytetarët i mashtron me thërrime”, tha ai.

Ndryshe, 76 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se organizimi i rezistencës antikomuniste nisi në zonën e Shkodrës, me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore. Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende ishte i dobët. Në Postribë lëvizja u nxit kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës.

Nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve. Mes tyre edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” kujton se që nga ajo periudhë nisën raprezaljet më çnjerëzore./TV Malisheva

Share.