Ministri i Financave, Hekuran Murati ka pranuar se Trust-i është duke pësuar humbje të kursimeve pensionale. Sipas tij, në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve për shkak të krizës në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, ai tha se të rinjve do u rikuperohen humbjet, ku shpreson ata që janë në prag të pensionimit nuk do të preken nga këto rënie të investimeve.
Në konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist të BSPK-së, Murati është pyetur edhe për humbjet në Fondin e Kursimeve Pensionale.
Murati: Ka luhatje të çmimeve në bursat ndërkombëtare
“Duhet të sqarojë që në rastet kur ka investime në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve, të cilat janë luhatje të përkohshme dhe lëvizin. Ideja e investimeve afatgjate të fondeve të tilla në aksione të ndryshme apo fonde efektive është që të sigurohet një kthim mesatar në afatgjatë. Sepse dikush që është i moshës 30-vjeçare që kontribuon sot, pra nuk pret që t’i merr këtë vit apo vitin e ardhshëm mjetet. Ideja është si investim afatgjatë, në horizonte afatgjate mbi 30 vjeç, 40 vjeç që në momentin kur dilet në pension të sigurohet një pension i dinjitetshëm për shkak se ka pasur një kthim mesatar 7 apo 8 për qind vjetor. Me sa e di së fundmi, personat që janë afër moshës së pensionimit që të mos ndikohen nga këto luhatje afatshkurta ka pasur një ndarje të portfolios. Që investimet e fondeve të atyre pensionistëve të investohen në letra me vlerë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Murati.
Ai ka folur edhe për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, për çka tha se janë të interesuar për përmirësimin e infrastrukturës që të mundësohet ofrimi i shërbimeve të parapara.
Murati: Ne kemi shprehur gatishmërinë që të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë
“Ne si Ministri e Financave kemi shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë për të gjitha investimet e nevojshme, por edhe për momentin kur fillon mbledhja e premiumeve që po ashtu përveç kostos, ka kosto të punëmarrësi ka edhe tek punëdhënësi. Ky problem nuk ekziston, por Ligji për Sigurime Shëndetësore kërkon edhe infrastrukturën e nevojshme, kërkon edhe investime të nevojshme. Nuk është vetëm një ligj në letër siç e kemi parë në të kaluarën. Një ligj ka tashmë në fuqi por nuk është zbatuar asnjëherë. Ideja jonë është që ta përmirësojmë ligjin, të kemi një ligj të implementuar por edhe të jetë infrastruktura e nevojshme për ofrimin e shërbimeve që parasheh Ligji për Sigurime Shëndetësore”, ka shtuar ai.
I pyetur se kur do të alokohen 10 milionë euro për listën esenciale, ministri i Financave ka thënë se në fillim të vitit janë ndarë mjetet e nevojshme. /TV Malisheva