Bashkimi Evropian planifikon të ndalojë produktet që janë rezultat i punës së detyrueshme. Blloku evropian mëton t’i japë fund kësaj forme të skllavërisë moderne, që sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, prek më shumë se 27 milionë njerëz në botë.

Komisioni Evropian, i cili propozon ligjet e BE-së, ka thënë se kjo politikë nënkupton që blloku evropian duhet të largojë nga tregu të gjitha produktet që janë rezultat i punës së detyrueshme. Sipas komisionit këto produkte, as nuk do të mund të prodhohen në BE, dhe as të dërgohen brenda tij.

“Synimi ynë është që të eliminojmë të gjitha produktet e prodhuara si rezultat i punës së detyrueshme në tregun e BE-së, pavarësisht se ku janë prodhuar. Ndalesa do të vlejë për produktet e brendshme, eksportet dhe importet”, ka thënë nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.

BE-ja e definon punën e detyrueshme si situatë kur një person detyrohet të punojë duke iu nënshtruar dhunës apo frikësimit, apo nëse kërcënohet me denoncim te autoritetet për imigrim. Blloku evropian planifikon që të krijojë një databazë me informacione për produkte dhe praktika specifike.

Autoritetet evropiane më pas do të emërojnë një autoritet për të zbatuar këto rregulla. Organizata Ndërkombëtare për Punë ka vlerësuar që më 2021, rreth 27.6 milionë njerëz i janë nënshtruar punës së detyrueshme, duke përfshirë 3.3 milionë fëmijë. Sektorët e tekstilit dhe bujqësisë besohet se janë më të prekurit nga një praktikë e tillë./REL/

Share.