Eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja ka komentuar deklarimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti për rrezikun nga sulmi ushtarak serb në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Qehaja ka thënë se deklarimet e Kurtit janë të bazuara dhe nuk kanë të bëjnë me tentativën e shmangies nga problemet e brendshme dhe zhvendosjen e vëmendjes diku tjetër – në rrezikshmërinë nga angazhimi luftarak serb ndaj Kosovës.
“Armatosja e Ushtrisë serbe me armatim kryesisht ofensiv nga Rusia e së fundi edhe nga Kina, e tejkalon nevojën e mbrojtjes së Serbisë, kjo bazuar në nivelin real e faktit të rrezikshmërisë në rajon. Organizimi i dhjetëra trajnimeve, ushtrimeve, manovrave në bashkëpunim të ngushtë me komandat dhe njësitet ruse me emërtime si “Vëllazëria sllave” nuk mund të trajtohen thjesht si një demonstrim force”, shkruan Qehaja.
Qehaja ka komentuar edhe paralajmërimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “nuk do të japin asnjë pëllëmbë të territorit serb”, si një vlerësim real të rrezikut se nuk mund të përjashtohet një sulm ushtarak serb ndaj Kosovës.
“Shprehja në mënyrë të hapur nga disa politikanë serbë të pretendimeve luftarake (ushtarake) ndaj territorit të Kosovës në ç’drejtim është shquar sidomos kryetari aktual serb, Vuçiq, dhe deklarata e tij më e re e para dy ditëve duke folur para oficerëve të posa diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd, se nuk do të japin asnjë pëllëmbë të territorit serb duke e përmendur këtu edhe territorin e Kosovës, janë argumente shtesë në favor të tezës që sulmi ushtarak nga Serbia megjithatë nuk mund të përjashtohet”, ka thënë ai.
“Nëse këto dhe një spektër i gjerë i argumenteve tjera nuk janë të mjaftueshme për një vlerësim real të rrezikshmërisë ushtarake serbe ndaj Kosovës, atëherë me siguri se po ia bëjmë qejfin vetit (duke argumentuar elementet antiluftë) dhe atë nga njerëz jo kompetentë për këtë fushë. Sipas tyre, ne nuk duhet të bëjmë përgatitje vetëmbrojtëse, sepse gjoja se rreziku luftarak serb ndaj Kosovës ose ndaj një pjese të territorit të saj nuk ekziston e që sipas mendimit tim është vlerësim tejet i gabuar”, ka përfunduar Qehaja.
/TV Malisheva