Funerali i mbretëreshës britanike Elizabeth II, ku do të marrin pjesë 500 zyrtarë, mbretër, mbretëresha, presidentë, kryeministra dhe liderë të tjerë nga e gjithë bota, si dhe qindra-mijëra qytetarë në qendrën e Londrës, përfaqëson një “sfidë të paprecedentë sigurie”.
Kështu deklaroi kryetari i Londrës Sadiq Khan, duke shtuar se për dekada nuk ka pasur kaq shumë liderë botërorë në një vend dhe se po punohet në nivele të ndryshme për të siguruar që funerali shtetëror të jetë i suksesshëm.
Ndihmës komisionari i Policisë së Londrës, Stuart Cundy, tha se ishte një operacion policor “jashtëzakonisht kompleks”, më i madhi në historinë e forcës policore të Londrës, më i madh se Olimpiada e Londrës 2012.
Më shumë se 10.000 policë do të jenë në detyrë të dielën dhe do të përforcohen nga oficerët e rrugës së Londrës, si dhe oficerë nga të gjitha 43 forcat policore në Britani. Do të ketë gjithashtu qindra vullnetarë dhe anëtarë të forcave të armatosura për të garantuar sigurinë.
Kjo është vetëm pjesa e dukshme e masave të sigurisë, ndërsa të hënën do të ketë polici në çati dhe pjesëtarë të forcave detare në lumin Thames dhe policë me kuaj.
Përdorimi i dronëve mbi qendrën e Londrës është ndaluar përkohësisht dhe aeroporti Heathrow do të ndalojë dhjetëra fluturime për të parandaluar zhurmën që të prishë një shërbim funerali.
Autoritetet përballen me sfidën e mbajtjes së sigurt të 500 liderëve botërorë, në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Të gjithë personalitetet, përveç presidentit amerikan Joe Biden, do të transportohen në abaci me autobusë luksoz. Biden do të arrijë me limuzinën e tij të blinduar të quajtur “The Beast”.
Një sfidë tjetër është numri i madh i njerëzve që priten rreth Westminster Abbey dhe përgjatë rrugës që do të marrë arkivoli pas funeralit, duke kaluar Pallatin Buckingham dhe Hyde Park. Prej aty ai do të transferohet me makinë speciale rreth 30 kilometra në Windsor, ku do të jenë në detyrë edhe rreth 2000 policë të tjerë.
Policia ka ngritur më shumë se 36 km gardh në qendër të Londrës për të kontrolluar turmat dhe shërbimet e metrosë dhe trenit do të rriten. Rreth një milion njerëz pritet të dynden në qendër të Londrës.
Mbretëresha do të varroset në kapelën e Shën Xhorxhit në Windsor.
Arkivoli me trupin e Mbretëreshës po zhvendoset nga dhomat e Parlamentit në Westminster në Westminster Abbey aty pranë nga ora 10:45 me orën lokale dhe do të zgjasë një orë.
Përveç kryepeshkopit të Canterbury-t, do të flasin edhe kryeministrja britanike dhe përfaqësues të besimeve të tjera fetare.
Pas shërbimit, arkivoli do të transportohet nga abacia me një karrocë përmes Londrës, i shoqëruar nga familja në Wellington Arch, duke kaluar rrugës Pallatin Buckingham.
Në fund të këtij udhëtimi, arkivoli do të transferohet nga karroca në një makinë të projektuar posaçërisht që do ta çojë me një shpejtësi pak më të madhe në Kështjellën Windsor, ku do të bëhet varrimi. Udhëtimi përmes Londrës në Windsor do të zgjasë rreth katër orë.
Varrimi në Windsor do të fillojë rreth orës 16:00 dhe do të jenë të pranishëm vetëm familjarët më të afërt. Fundi i funeralit është edhe fundi i funeralit publik.
/TV Malisheva