Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz i kanë sjellë Beogradit disa letra që ai ka refuzuar t’i pranojë, derisa iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me draft-marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të publikuar nga Albanian Post.

Vuçiq tha se e ka lexuar një letër me përmbajtje rreth “kornizës së re” dialoguese mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“E lexova atë letër. Nuk mund të them se mbaj mend katër faqe pas pesëmbëdhjetë minutash leximi. Është e qartë se dokumenti nuk ka rrjedhë në publik nga pala serbe. Se a është publikuar nga shqiptarët apo dikush tjetër, sepse i shkon për shtat të përdor mediat, nuk më intereson. Pavarësisht nëse kjo është plotësisht e vërtetë ose jo, nuk mund të mbaj mend çdo detaj, por e di se cilat ishin idetë e dikujt”, tha Vuçiq për TV Pink nga Nju Jorku.

Ai deklaroi se probleme do të ketë edhe nëse e pranon, ose e refuzon propozimin.

“Nëse pranojmë, kurrë nuk do të mund ta përjashtojmë më Prishtinën nga OKB-ja”, tha Vuçiq, shkruan mediumi Nova.rs.

I pyetur se ku ndodhet ai dokument tani, Vuçiq tha se është duke pritur që ta pranojë dokument. Kur u pyet nëse do ta merrte, ai tha: “Ende nuk mundem, më dhemb koka”.

Sipas publikimit të Albanian Post, thelbi i kornizës së përmendur është se marrëveshja e re duhet të arrihet deri në mesin e vitit 2023. Nuk do të nënkuptonte njohje formale të Kosovës si shtet nga Serbia, por përkohësisht do të mjaftonte që Serbia ta “pranonte” ekzistencën e Kosovës si realitet më vete juridiko-politik.

Sipas këtij teksti, Serbia duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën pas 10 vitesh, kur “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në prag të anëtarësimit në BE”.

“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut”, thuhet në dokumentin e pretenduar që “Albanian Post” thotë se e ka.

“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”, thuhet në tekst.

/TV Malisheva

Share.