Pandemia nuk i fshehu dot shifrat e të infektuarve me HIV-AIDS. Shenjat klinike por edhe vetkontrollet për shkak të sjelljeve të rrezikshme zbuluan se rastet e reja vijojnë të rriten nga viti në vit. Në një intervistë eskluzive për RTSH, Prof. Arjan Harxhi thotë se mbi 70% janë meshkuj ata që infektohen ndërsa më shumë se gjysma vijnë në stade të avancuara kur mund të kenë infektuar edhe shumë të tjerë.

“Rritja është konstante dhe e qëndrueshme. Veçoritë epidemiologjikë është se trendi I infektimit të meshkujve është në rritje. Gjithmonë ka qenë në raportin 2/1, ndërsa aktualisht është ¾ janë meshkuj dhe ¼ janë femra”.

Ndryshe me sëmundjet e tjera, pandemia nuk i mbajti larg sistemit pacientët me HIV. Pse?

“Është veçori e sëmundjes. Po ti shohim shifrat, shumica janë më shenja klinike e si të tilla sistemi ka funksionuar, ka vënë diagonzë, po ka qenë e vonuar. Një kategori janë edhe të vetestuarit për shkak të identifikimit me sjellje të rrezikshme dhe kanë kërkuar testim në mënyrë vullnetare, po kjo është në shifra shumë të ulëta ndoshta edhe për shkak të mungesës së testeve të shpejta, gjë që ne e kemi ngritur si shqetësim e që duhet të jetë pjesë e protokolleve”.

Po cilat janë shkaqet që kemi vetëm rritje të infektimeve?

“Shkaqet e rritjes janë komplekse. Akoma kemi probleme me testimin në Shqipëri për HIV qoftë në drejtim të aksesit ndaj testit në nivele të ndryshme të tij dhe akoma më shumë për popullata të ndryshme që janë të vështira për tu testuar. Ndoshta edhe aplikimi jo siç duhet i protokolleve në lidhje me testimin nga ana e personelit shëndetësor është një shkak më vete”.

Kombet e bashkuara kanë vendosur që në 2030 sëmundja e HIV-AIDS të shkojë drejt zhdukjes por për mjekët ky mbetet një objektiv shumë agresiv duke parë situatën.

“Fakti që kemi rritje, fakti që kemi diagnostikim të vonuar, kjo tregon që ky infeksion është në përhapje në Shqipëri dhe duhet të na bëjë të rishikojmë strategjitë”.

Harxhi paralajmëron rishikimin e strategjisë edhe në lidhje me ndërhyrjet e reja siç është parandalimi para ekspozimit që është terapia që i jepet personave në risk me antivirale për të mos u infektuar. /rtsh/

/TV Malisheva

Share.