Pas festimit me shqiponjën dykrenore nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në Kampionatin Botërorin “Rusia 2018”, fitorja e bujshme e Zvicrës ndaj Serbisë u bë një çështje e vogël. Në Zvicër, në FIFA dhe veçanërisht në Serbi, veprimi i futbollistëve që festuan golat me atë veprim, shkaktoi shumë diskutime dhe indinjatë. 

Serbët dhe zviceranët do të takohen sërish më 2 dhjetor në Doha në xhiron e fundit të Grupit G, por siç raportohet lojtarët me origjinë shqiptare nuk do të lejohen të përsërisin më atë që bënë në Botërorin 2018.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, transmeton TV Malisheva.

“Kupa e Botës nuk ka të bëjë vetëm me lojën me Serbinë, edhe nëse e dimë se sa e veçantë është kjo lojë, duke marrë parasysh atë që ndodhi në vitin 2018. Ne nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër. Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar. Ne duam të përfaqësojmë vlerat tona. Njëra prej tyre është: respekti. Ne tregojmë respekt për të tjerët. Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me gjeste, pavarësisht lojës”, tha drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami.

“Nuk duhet të ketë fjalë, gjeste apo sjellje në përgjithësi që të nxisin reagime të tjera. Kur brohorasim, tregojmë gëzimin tonë, kjo është e rëndësishme. Por ne nuk duhet të jemi provokues”, është shprehur ai.

Xhaka dhe Shaqiri ishin gjobitur nga UEFA me nga 10 mijë euro për festimin me shqiponjë në fitoren ndaj Serbisë, pasi organi evropian i futbollit kishte thënë se kishin shkelur rregullat e ferplejit duke shtuar se gëzimi i lojtarëve ishte spontan dhe lidhet me historinë e tyre.

Share.