Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se zvarritja e procesit të dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është vetëm në interesin e Serbisë.

Osmani, e cila ndodhet për vizitë në Nju Jork, ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës mbi pritjet nga procesi i dialogut.

“Mos harroni se është interes i Serbisë që të zvarrisë procesin e dialogut dhe zgjidhjen përfundimtare. Interes i Serbisë është që procesi të vazhdojë me dhjetëra apo qindra vite që Kosova të mbahet peng. Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajon dhe është i përqendruar në njohje reciproke”, ka thënë ajo.

Ajo ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit Moskë-Beograd mbi politikat e jashtme, duke thënë se ajo Serbia vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin politik, ekonomik e ushtarak me Rusinë, duke ndikuar në rritjen e ndikimit rus në rajon.

Osmani ka thënë se kjo marrëveshje është një mesazh i qartë se Serbia nuk është e interesuar të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon.

Ajo ka folur edhe dokumentet që kanë qarkulluar në disa media për marrëveshjen finale, për të cila ka thënë se nuk janë dokumente që janë propozuar apo dorëzuar ndonjëherë Kosovës.

“Mos harroni që sa herë që ka përpjekje të intensifikuara në dialogut Kosovë-Serbi, gjithnjë kemi edhe dokumente të cilat dalin nga organizatat fantome, që propozohen e ide të ndryshme që propozohen në media, por në fakt të tillat nuk kanë qenë të propozuara si dokumente të tilla në takimet tona”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, gjatë vizitës së saj në Nju Jork, presidentja Osmani ka pasur takime të shumta në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

 

Share.