Edon Zhegrova do të rikthehet tek skuadra belge Genk pas një viti e gjysmë të kaluar te Baseli.
Talenti kosovar ishte bashkuar me gjigantin zviceran në shkurtin e vitit 2019 dhe Baseli kishte kohë për ta aktivizuar klauzolën për blerjen e tij deri më 31 mars.
Trajneri i Baselit, Marcel Koller ka deklaruar se dëshira e tij ishte që Zhegrova të vazhdonte të qëndronte te Baseli.
“Unë do të doja të vazhdonte ai me ne, por ky ishte vendim i klubit. Zhegrova është një lojtar i ri që do të zhvillohet edhe më shumë, por vendimi për ta blerë duhej të merrej tani”, tha Koller.
Mediat zvicerane kanë deklaruar se Baseli po mendonte ta blinte përfundimisht Zhegrovën, por ndalesa që iu bë futbollit pas përhapjes së coronavirusit ndryshoi planet e klubit.
Gjiganti zviceran e kishte klauzolën e blerjes së Zhegrovës për 3,5 milionë franga, por kjo gjë tanimë nuk do të ndodhë.
Zhegrova pritet të rikthehet te Genk pas një viti e gjysmë të kaluar në Superligën e Zvicrës.
21-vjeçari gjatë qëndrimit te Baseli ka zhvilluar 27 ndeshje zyrtare ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë katër asistime.
Reprezentuesi kosovar ka kontratë me Genkun edhe për dy vite dhe mbetet të shihet nëse do të mbetet pjesë e klubit belg apo do të largohet në drejtim të ndonjë skuadre tjetër./ Tv Malisheva