Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se ka ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022. Në Komisioni për Buxhet dhe Financa, Mehmeti, tha se parashikimet e tyre për rritje ekonomike gjatë këtij viti janë diku rreth tre për qind. Kjo sipas tij po ndodh për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto.
Duke raportuar para deputetëve të mërkurën, Mehmeti tha se BQK-ja është e kufizuar edhe në marrjen e vendimeve sa i përket stabilizimit të çmimeve të produkteve, të cilat janë rritur për shkak të inflacionit.
Mehmeti: Parashikimet tona për rritjen ekonomike janë diku rreth tre për qind
“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik e realizuar në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që të jetë diku rreth 3 për qind. Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto. Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave, e para është pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pandemia dhe presioni shoqëruese të inflacionit të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë që e përforcojë edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, theksoi ai.
Pikërisht për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi hapa konkret nga BQK-ja.
Shala: Pse BQK-ja është e kufizuar në marrjen e politikave për efekte të stabilizimit të çmimeve
“Në raport thuhet se BQK-ja mbetet e kufizuar në marrjen e politikave për efekte të stabilizimit të çmimeve. A mund të na thoni pse e keni këtë përkufizim që keni probleme në marrjen e hapave të tjerë në politikave e stabilizimit të çmimeve”, tha ai.
Mirëpo, guvernatori Mehmeti tha se inflacioni në Kosovë është i importuar dhe çdo masë e tyre vetëm do të pengonte rritjen ekonomike.
Mehmeti: Inflacionin e kemi të importuar, çdo masë e marrë do të pengonte rritjen ekonomike
“Çdo masë e marrë në këtë drejtim neve na qon vetëm në starflacion, pra ka shumë efekte dhe pengon rritjen e aktiviteteve ekonomike në vend…Përderisa inflacionin e kemi të importuar nga jashtë faktikisht me rritjen e përqindjes së rezervës të detyrueshme ne shumë pak do të mund të bënin në këtë drejtim dhe anën tjetër dëmi do të ishte i madh sa i përket pengesës që do të kishte në rritjen ekonomike në vend”, shtoi Mehmeti.
Nga ana tjetër, kritike karshi BQK-së u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci.
Ajo tha se paralajmërimi për rritje të interesit për kreditë ekzistuese dhe ato të ardhshme është e dëmshme për ekonominë familjare, bizneset e vogla dhe të mesme.
Statovci: BQK-ja ka paralajmëruar rritje të interesit që do t’i prek kreditë e ardhshme dhe ekzistuese
“Thuhet që BQK-ja ka paralajmëruar rritje të interesit që do t’i prek kreditë e ardhshme, por edhe kreditë ekzistuese. Nëse i analizojmë disa prej indikatorëve, shohim se ky është një sektor me një profit pozitiv dhe të lartë. Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022 ka profit neto diku 83 milionë, që krahasim me vitin e kaluar ka qenë 66.3 milionë. Kjo ndodh pa e prek normën e interesit, mirëpo vetëm përmes lëvizjeve që kemi diskutuar që kanë të bëjnë me tarifat dhe ndryshimet e çmimeve të sistemit bankar”, tha ajo.
Duke iu përgjigjur komentit të deputetes së mazhorancës, guvernatori Mehmeti tha se janë duke punuar që të ruhet norma e tanishme e interesit. Mirëpo sipas tij, Kosova është ekonomi e hapur, ku oferta dhe kërkesa përcaktojnë çmimet.
Mehmeti: Jemi duke punuar në drejtim të asaj që të ruajmë normën e interesit
“Jemi duke punuar në drejtim të asaj që të ruajmë normën e interesit, por ju e dini se Kosova është ekonomi e hapur edhe me Kushtetutë, ku oferta dhe kërkesa janë ato që përcaktojnë çmimet”, shtoi Mehmeti.
Lidhur me këtë kritik u shprehën edhe deputetët e tjerë, anëtarë në këtë komision. Pas raportimit, komisioni vendosi që raportin për BQK-në gjatë vitit 2021 ta përcjellë në seancë plenare për votim.
Në mbledhjen e së mërkurës, para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, raportoi edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Ai paraqiti raportin e Kuvendit për gjashtë muajt e parë të vitit 2022. Aty u bë e ditur se Kuvendi i Kosovës për gjashtë muajt e parë të vitit 2022 ka shpenzuar 3.6 milionë euro dhe se pjesa më e madhe e tyre, rreth 3.1 milionë janë për paga dhe mëditje.
Megjithatë, sekretari Krasniqi, tha se gjatë këtij viti ka pasur shkurtime buxhetore, krahasim me vitin e kaluar.
Krasniqi: Kemi zvogëlim të shpenzimeve
“Kemi zvogëlim të shpenzimeve në furnizime të caktuara, duke pasur parasysh shpenzimet në inventarë, mobile, aktivitetet të tjera rrjedhëse, siç janë ato të telefonisë mobile, ka zvogëlim sa i përket bufesë së Kuvendit. Këtu ka një kursim bukur të madh të mjeteve që janë planifikuar, por nuk janë shpenzuar për shkak se ka ardhur tek kursimi ose shkurtimi i disa kërkesave”, tha ai.
Një pjesë e këtyre kursimeve u bë edhe nga përgjysmimi i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve.
Azemi: Janë përgjysmuar shpenzimet e udhëtimit për deputetë
“Vendimi që është marrë ka pasur ndikim bukur të madh në zvogëlimin e shpenzimit të Kuvendit, këtë rast deputetëve. Meqenëse janë përgjysmuar shpenzimet e udhëtimit për deputetë dhe të çështja e pagesës për ditë pune, paguhen vetëm ditët e punës, kur deputeti është prezentë në seancë, komision ose grup punues. Kursimet që janë bërë me këtë vendim janë bukur të mëdha, pasi Prizreni që ka qenë 30 euro, tash është bërë me 15 euro, janë përgjysmuar. Po ashtu komunat që janë në afërsi prej 15 kilometra nuk paguhen fare, më herët janë paguar… edhe numri i deputetëve që realizojnë shpenzimet e udhëtimit është zvogëluar ndjeshëm”, tha Istret Azemi nga sekretariati i Kuvendit.
Krahas këtyre, sekretari Krasniqi, foli edhe për rregullimin e votimit elektronik në sallën plenare të Kuvendit.
Një gjë e tillë, sipas tij mund të ndodh vitin e ardhshëm, pasi kanë qenë në pritje të një donacioni, mirëpo i njëjti ka dështuar.
Krasniqi: Investimi për votimin elektronik mund të ndodh vitin e ardhshëm
“Tek shpenzimet kapitale është një buxhet i paraparë prej 450 mijë euro për furnizimin e pajisjeve në sallën plenare. Nga viti i kaluar kemi pasur një premtim për një donacion nga një shtet mik i Kosovës. Fatkeqësisht para një muaji kemi marrë informacion se për shkak të luftës në Ukrainë kanë tërhequr premtimin. Në këtë mënyrë kemi mbetur të ushtrojmë vet këtë aktivitet. Duke marrë parasysh se është një investim i madh dhe duhet procedurat e prokurimit dhe jemi në rrezik se as këtë vit të mos realizohet”, theksoi ai.
Efikasitet më të madh në lidhje me investimet kapitale, veçmas në rregullimin e votimit elektronik kërkuan edhe deputetët, anëtarë në këtë komision.
/TV Malisheva