Në seancën e sotme parlamentare nuk pati kuorum për votimin e vazhdimit të masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese qeveritare, me shmangie të rregullores nga Kuvendi, vetëm 58 deputetë kanë marrë pjesë në votim për vazhdim të masave emergjente për furnizim me energjinë.

Fillimisht përkundër shumë kritikave nga opozita, megjithatë është futur në rend dite në seancën e sotme të Kuvendit, vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila fillimisht propozoi mocion procedural për ta futur si pikë të rendit të ditës këtë vendim.

Kusari-Lila: Sot të futet në rend dite dhe të votohet propozimi i qeverisë

“Qëllimi i këtij vendimi është që këto masa edhe 30 ditë të tjera të zgjaten konform edhe Ligjit për energji. Duke ditur rëndësinë e këtij vendimi dhe dëmet që mund t’u shkaktohen bizneseve dhe amvisërive, kërkojmë mbështetjen që ky vendim sot të futet në rend dite dhe të votohet për të sipas propozimit të qeverisë”, tha Kusari-Lila.

E kundër këtij mocioni ishin partitë opozitare.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se është hera e katërt që sillet në këtë formë një mocion për çështjen e energjisë.

Shala: Hera e katërt që sillet në këtë formw një mocion për çështjen e energjisë

“Nuk është normale, sot është hera e katërt brenda gjashtë muajve pwr ta futur me mocion procedural shpalljen e gjendjes emergjente. Vet po krijoni precedan që vërtet me thënë se kjo qeveri s’është normale. Sepse s’po diskutojmë për normalitet, për shmangie po diskutojmë. Prandaj, ju lus që ta hiqni nga rendi i ditës këtë mocion”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie tha se do të abstenojnë.

Selmanaj: Veprimet e qeverisë krahas krizës energjetike janë pa agjendë

“Tash e një vit shumica e veprimeve të qeverisë karshi kësaj problematike janë improvizuese dhe pa një agjendë serioze shtetërore. Grupi parlamentar i LDK-së abstenon në votimin e kësaj çështje”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli para votimit ka paraqitur këtë vendim të qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për energji.

Rizvanolli para deputetëve theksoi se si Qeveri kanë marrë disa masa për përballje me këtë situatë derisa ka dhënë edhe disa këshilla për qytetarët.

Sipas saj, qytetarët duhet t’i izolojnë shtëpitë përpara se të ftohet moti derisa ka potencuar se duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos shfrytëzohet rryma për ngrohje.

Rizvanolli: Familjet t’i izolojnë shtëpitë e tyre para së të bien temperaturat

“Çfarë mund të bëjnë familjet, është marrin masa për izolim të shtëpive para se të fillojnë temperaturat e ulëta. Të përpiqen të ndërrojnë mënyrën ngrohjes, pra jo me energji elektrike. Ne si qeveri kemi marrë dhe po vazhdojmë të marrim masa në shumë drejtime, prej kursimit deri tek mbështetja për ata që nuk i kanë mundësitë”, theksoi ajo./TV Malisheva

Share.