Pas vendimit të Rusisë për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Kievi zyrtar sot është kundërpërgjigjur duke aplikuar edhe zyrtarisht për anëtarësim në NATO.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka publikuar në rrjetet sociale momentin e nënshkrimit të aplikacionit për anëtarësim në NATO, pas aneksimit të paligjshëm të rajoneve ukrainase, Luhansk, Donjetsk, Kherson dhe Zaporizhia.
Presidenti ukrainas Zelensky ka kërkuar anëtarësim të shpejtë në NATO pasi Vladimir Putin u përpoq të aneksonte katër rajone të Ukrainës.
“Ne kemi vërtetuar tashmë përputhshmërinë tonë me standardet e Aleancës. Ne po bëjmë një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, tha Zelensky.
Një video e deklaratës së Zelensky është postuar edhe nga presidenca ukrainase në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas deklaroi se Finlanda dhe Suedia filluan procedurën e anëtarësimit në Aleancë pa marrë pjesë në planin zyrtar të anëtarësimit – dhe kështu që është e drejtë që Ukraina të bëjë të njëjtën gjë.
Duke iu referuar thirrjes së mëparshme të Vladimir Putin për rifillimin e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, Zelensky tha se ishte “vendi ynë ai që ishte përpjekur gjithmonë të bashkëjetonte në kushte të barabarta, të ndershme, dinjitoze dhe të drejta”.
Ai sugjeron gjithashtu se bisedimet e paqes me Putinin nuk janë të mundshme.
“Ai nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe ndershmëria. Kjo është arsyeja pse ne jemi gati për dialog me Rusinë – por me një president tjetër të Rusisë”, tha Zelensky.
Përpara se Rusia të dërgonte forcat e saj të armatosura në Ukrainë në shkurt, Moska po kërkonte garanci ligjërisht të detyrueshme që Ukraina nuk do të pranohej kurrë në NATO, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga SHBA.
Është pohuar se Rusia e përdori këtë si pretekst, ndër të tjera, për të nisur të ashtuquajturin operacionin e saj special ushtarak.
Rusia shpalli katër provinca të Ukrainës si pjesë të Federatës Ruse. Aneksimi i Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhias u nënshkrua sot nga presidenti Putin.
/TV Malisheva