Banka Botërore miratoi 530 milionë dollarë shtesë për të mbështetur Ukrainën për të përballuar nevojat urgjente të shkaktuara nga pushtimi rus.

Mbështetja jepet në formën e një kredie të re përmes Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe garantues janë Britania e Madhe në vlerë prej 500 milionë dollarësh dhe Danimarka në shumën prej 30 milionë dollarësh, sipas Bankës Botërore.

Me këstin e ri të ndihmës, ndihma totale e dhënë nga Banka Botërore për Ukrainën që nga fillimi i konfliktit arrin në 13 miliardë dollarë, nga të cilat 11 miliardë janë paguar tashmë.

“Bilanci i shkatërrimit dhe dëmtimit në Ukrainë është i lartë dhe vazhdon të rritet. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë mbresëlënëse deri më tani… populli ukrainas po përballet me një rrugë të gjatë drejt rindërtimit dhe partnerët vazhdojnë mbështetjen e tyre”, tha zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Ana Bjerde.

Sipas vlerësimit të këtij institucioni, kostot afatgjata të rindërtimit janë të mëdha dhe do të kalojnë shumë 100 miliardë dollarë për tri vjetët e ardhshme.

Kongresi Amerikan votoi dje edhe një këst të ri të ndihmës për Ukrainën prej 12.3 miliardë dollarësh, nga të cilat 3.7 miliardë për pajisje ushtarake, duke e çuar totalin e ndihmës amerikane që nga fillimi i pushtimit rus në 65 miliardë dollarë.

/TV Malisheva

Share.