Spektakli në Mitrovicë është i garantuar. Më 5 dhe 6 tetor organizohet Superkupa Mbarëkombëtare, ku përveç ndeshjeve të bukura në parket, pritet një organizim i jashtëzakonshëm.

Nga ora 19:00 përballen Trepça dhe Golden Eagle Ylli, në ndeshjen gjysmëfinale. Mitrovicasit luajnë pasi fituan Kupën e Kosovës, ndërsa therandasit si kampionë të Kosovës.

Këto dy skuadra u përballën edhe në finale të “Play-off”-it të Kosovës, ku Ylli kishte triumfuar 3:1 në serinë finale dhe u shpall kampion i Kosovës.

Për Trepçën, kjo do të jetë ndeshja e parë në Ligën Unike. Ndërkohë, verdhezinjtë kanë fituar edicionin e fundit të Superkupës Mbarëkombëtare dhe kishin triumfuar në edicionin e parë të Ligës Unike.

Atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme, pasi interesimi është i madh. Mitrovicasit ditë më parë organizuan për mrekulli kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe shpresojnë në një tjetër organizim madhështor për Superkupën Mbarëkombëtare, ashtu siç i takon kësaj gare.

Fituesi i kësaj ndeshje në finale do të përballet me Tiranën, që në fakt, është dashur të luajë ndaj Teutës, por durrësakët kanë probleme shëndetësore dhe ndeshja e parë gjysmëfinale nuk do të zhvillohet.

Finalja e madhe do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00, ku do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis.

Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë, ku do të qëndrojë më 6 dhe 7 tetor./TV Malisheva

Share.