Bashkimi Evropian u dakordua për pakon e tetë të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, dhe njëra prej pikave është shënjestrimi i importeve të naftës ruse, shkruan TV Malisheva.
E përditshmja beogradase “Novosti” e afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, thotë se “ka mësuar” se me insistimin e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, Serbisë do t’i pamundësohet importimi i naftës ruse.
Ky tabloid, thotë se “pritet përgjigje e ashpër nga Vuçiq”.
Ndonëse burime diplomatike nga Brukseli, siç raportoi Radio Evropa e Lirë para disa ditësh, thanë se do të mundësohej “një përjashtim” për Ballkanin Perëndimor për naftën ruse, mediat e afërta me Vuçiç thonë se “këmbëngulësia” kroate ka bërë që kjo të ndryshojë.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka “konfirmuar” raportimet e këtij tabloidi, duke thënë se Kroacia ndërmorri “veprim të hapur armiqësie” ndaj Serbisë.
“Ky vendim ndryshoi gjithçka. Deri dje, mendoja se Vuçiq do të shkonte në Pragë nën presion dhe zjarr, dhe sot, pas këtij vendimi të tuprshëm insistues të Kroacisë, Vuçiç do të përgjigjet vrullshëm, sot do të shohin se kush është Vuçiq dhe sa i fortë dhe i vendosur është, ai do t’ua tregoj turpin”, ka thënë Ana Bërnabiq.
“Nuk mendoj se e kanë parë një Vuçiq të tillë deri më tani”, ka theksuar.
Ditë më parë, kryeministri kroat ka thënë se Serbisë duhet t’i pezullohen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa as pas shtatë muajsh që nga agresioni brutal rus mbi Ukrainën, Serbia nuk është bashkërenduar me BE-në në sanksionet ndaj Federatës Ruse.
Përjashtimin e Serbi nga negociatat, Plenkoviç e ka quajtur “gjë të logjikshme”, dhe se “në një kohë kur qartë shihet e mira dhe e keqja, nuk mund të ulesh në dy karrige më”.
Serbia, sektorin e saj të energjisë, e ka në masën më të madhe të varur nga Federata Ruse, e cila është edhe njëra nga arsyet që ata përdorin për të justifikuar mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.