Vuçiq për propozimin franko-gjerman, do anëtarësimin e Kosovës në OKB
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një konference për media tha se në tavolinën e tij është një propozim franko-gjerman që i kërkon shtetit të tij të mos bëhet pengesë në rrugëtimin e integrimeve dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në një konferencë për media, Vuçiq u shpreh se çdo ditë e më shumë Serbia po gjendet në një situatë më të komplikuar.
“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”, tha Vuçiq në konferencë për media.
Ai tha se thelbi i këtij propozimi është që Serbia të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare.
Vuçiq tha se Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, edhe pse vendi i tij do të ketë lehtësime për anëtarësim në BE si dhe përfitime financiare.
Presidenti i Serbisë tha se “mund të na marrin gjithçka, por edhe do të luftojmë”, edhe pse, vijoi ai, parashikimet janë të këqija.
“Por, sido që të jetë, në këtë moment në konsultime me kryeministren konstatuam se nuk ekziston vullneti për ta pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”, tha Vuçiq.
/TV Malisheva