Programin e sotëm të Serie A do ta hap përballja tejet interesante mes skuadrës së Sassuolos dhe asaj të Interit, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e nëntë të kampionatit italian.

Interi rikthehet në këtë ndeshje nga fitorja në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës me rezultat 1:0, kurse Sassuolo në ndeshjen e fundit të zhvilluar e shkatërroi Salernitanan me rezultat 5:0.

Momentalisht, pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në Serie A, Interi dhe Sassuolo gjenden në kuotën e njëjtë të pikëve, respektivisht me nga 12 sosh, ku “Nerazzurët” renditen në vendin e nëntë krahas Sassuolos që zë vendin e tetë.

Takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave daton në muajin shkurt të këtij viti, ku asokohe Sassuolo regjistroi fitore si mysafirë me shifrat 2:0.

Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat kanë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Sassuolon nuk do të paraqiten Defrel, Muldur, Berardi, Romagna dhe Traore, kurse te Interi mungojnë Brozovic, Cordaz, Correa, Dalbert dhe Lukaku.

Tanimë të dy trajnerët kanë vendosur se me cilët lojtarë do ta fillojnë ndeshjen e sotme, ku për Interin titullar është ylli shqiptar, Kristjan Asllani ndërkaq formacionet zyrtare i gjeni më poshtë.

Sassuolo (4-3-3): Consigli; Rogerio, Ferrari, Erlic, Toljan; Thorstvedt, Lopez, Frattesi; Lauriente, Pinamonti, Ceide

Inter (3-5-2): Onana; D’Ambrosio, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Asllani, Calhanoglu, Dimarco; Martinez, Dzeko

/TV Malisheva

Share.