Bashkimi Evropian po i kërkon presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të bëjë një zgjedhje të prerë – t’i vë sanksione Rusisë, apo ta dëmtojë rrugën e saj drejt integrimit.
Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, thotë se Serbia nuk e ka kaq të thjesht zgjedhjen, prandaj duhet të kuptohet situata e saj komplekse dhe rrethanat specifike.
Hill deklaroi për TV Happy se këto rrethana për Serbinë kanë të bëjnë kryesisht me varësinë e saj të madhe nga burimet ruse të energjisë dhe se është një tablo komplekse që s’mund të thuhet vetëm “bashkohuni në sanksione”.
I pyetur për zgjidhjen e problemit të Kosovës, Hill tha se qoftë në këtë shekull apo në shekullin tjetër, “Kur të zgjohen serbët do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën” dhe për këtë, siç tha ai, ai shpreson se normalizimi do të arrihet ndërkohë në mënyrë që të vazhdojë me gjëra që kanë rëndësi për njerëzit mesatarë.
Hill vlerësoi se vendet perëndimore po kërkojnë nga Beogradi dhe Prishtina që t’i përmbahen procesit të dialogut dhe të përpiqen të ulin tensionet dhe të krijojnë hapësirë që ata të bisedojnë me njëri-tjetrin për të arritur marrëdhënie normale.
Në pyetjen nëse rasti i Kosovës mund të krahasohet me rastin e territoreve ukrainase që iu aneksuan Rusisë, Hill tha se nuk ka ngjashmëri, sepse Ukraina është në një pozicion tjetër.
Fqinji i Ukrainës, Rusia, po sulmon Ukrainën dhe civilët e saj dhe ndërkohë po anekson territoret e saj”. Nuk kemi parë gjëra të tilla që nga fillimi i shekullit të 20-të”, ka theksuar Hill dhe ka vlerësuar se kjo është një situatë ndryshe nga ajo e Kosovës që ka ndodhur 23 vjet më parë.
/TV Malisheva