Rusia nisi një valë të re të sulmeve ajrore në disa rajone të Ukrainës më 11 tetor, një ditë pasi Moska bombardoi disa qytete ukrainase, përfshirë edhe Kievin.

Nga sulmet e 10 tetorit u vranë të paktën 19 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Rusia tha se sulmet ishin në kundërpërgjigje ndaj një shpërthimi në urën që lidh atë me Krimenë e aneksuar.

Pas përshkallëzimit të fundit në luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet t’u kërkojë liderëve të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që t’i ofrojnë Kievit armë kundërajrore, në mënyrë që ukrainasit të mbrojë veten nga raketat ruse.

Mediat në Ukrainë raportuan se 20 raketa kanë goditur caqe të ndryshme mëngjesin e 11 tetorit. Edhe blogerët ushtarakë rusë, të afërt me Kremlinin, po ashtu kanë konfirmuar sulmet e reja ajrore në Ukrainë.

Autoritetet në rajonin jugor të Zaporizhjës raportuan për 12 sulme me raketa, ndërkaq shpërthime janë raportuar edhe afër Kievit dhe në qytetin perëndimor Hmelnitski.

Në Kiev u lëshuan sërish sirenat për sulme ajrore, duke detyruar qytetarët që të strehohen.

Zonat në Dnipropetrovsk, Vinitsja, Mikolaiv dhe Rivne po ashtu kanë qenë cak i sulmeve. Vinitsja, që gjendet në jugperëndim të Kievit, ka qenë cak i sulmeve me dronë.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Lviv, tha kryetari i këtij qyteti Andriy Sadovy.

Takimi virtual midis liderëve të G7-s dhe Zelenskyt vjen pasi udhëheqësi ukrainas zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Joe Biden.

Biden u zotuar se do të vazhdojë mbështetjen për Kievin, pasi sulmeve të 10 tetorit. Ai po ashtu zotua se Rusia do të mbahet përgjegjëse për ato që ai i quajti “krime të luftës dhe mizori”.

Gjatë bisedës telefonike me Zelenskyn, Biden “dënoi sulmet ajrore të Rusisë në mbarë Ukrainën, përfshirë edhe në Kiev, dhe shprehu ngushëllime për familjarët e atyre që u vranë dhe u plagosën në këto sulme të pakuptimta”, tha Shtëpia e Bardhë në deklaratën e lëshuar më 10 tetor.

“Presidenti Biden u zotua se do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta mbrojtur veten, përfshirë edhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore”.

Në një deklaratë të mëhershme, Biden tha se sulmet ajrore tregojnë “brutalitetin absolut” të luftës që nisi presidenti rus, Vladimir Putin.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet ajrore të Rusisë në mbarë Ukrainën, përfshirë ato në Kiev. Këto sulme vranë dhe plagosën civilë dhe shkatërruan caqe që nuk përdoren për qëllime ushtarake. Edhe një herë, këto sulme tregojnë brutalitetin absolut të luftës së paligjshme të Putinit ndaj popullit ukrainas”, tha Biden.

Më 10 tetor, Rusia lëshoi 83 raketa në drejtim të Ukrainës dhe Kievi tha se arriti të rrëzonte mbi 43 raketa ruse.

Gjatë bisedës me Bidenin, Ukraina theksoi se mbrojtja ajrore “është prioriteti numër një i bashkëpunimit tonë të mbrojtjes”, shkroi Zelensky në Telegram.

Ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent disa orë pas sulmeve ruse. Ambasadori i Ukrainës në OKB tha se Rusia është “shtet terrorist”.

“Rusia ka dëshmuar edhe një herë se është shtet terrorist dhe duhet të frenohet në mënyrat më të forta të mundshme”, tha ambasadori ukrainas, Serhiy Kyslytsya.

OKB-ja thirri takimin më 10 tetor për të diskutuar për një draft-rezolutë për dënimin e aneksimit të fundit nga Rusia të katër territoreve ukrainase, që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Por, seanca u dominua nga dënimi i Rusisë, që lëshoi mbi 80 raketa drejt qyteteve ukrainase në shenjë hakmarrjeje për ato që Moska i cilëson si veprime “terroriste” të Kievit, përfshirë edhe shpërthimin që dëmtoi urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar. Kjo urë përdoret si rrugë për të dërguar furnizime dhe përforcime për forcat ruse që luftojnë në jug të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet ishin “përshkallëzim i papranueshëm i luftës” nga Rusia.

Bashkimi Evropian tha se është kryer krim lufte, ndërkaq presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Moska po ushtron terror dhe brutalitet.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që ka 193 anëtarë, vendosi që të mbajë votim të hapur për rezolutën që dënon “referendumet e rreme” ruse në rajonet e pushtuara ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, por edhe “përpjekjet joligjore për aneksimin” e këtyre territoreve.

Diplomatët thanë se do të votojnë për këtë rezolutë më 12 tetor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi virtual me Këshillin e Sigurisë së Rusisë, tha më 10 tetor se sulmet ishin si0 përgjigje të veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi si “terroriste”, përfshirë edhe dëmtimin e Urës së Krimesë, që lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me Rusinë.

/TV Malisheva

Share.