Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, dhe njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për shefen e Grupit Parlamentar të tij (GP), Mimoza Kusari-Lila. Ai ka thënë se ka pakënaqësi për mënyrën se si po udhëheq Kusari-Lila si shefe e GP pasi deputetët nuk po kanë hapësirë për t’i shprehur idetë e tyre.
Abazi, i ftuar në emisionin “Debat Plus” RTV Dukagjini, ka treguar se janë 2-3 deputetë nga GP i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, të cilët flasin për çështje të caktuara.
“Ekziston skenari i folësve, që është normale, se nuk munden të gjithë të flasin, por skenari duhet të jetë rezultat i debatit të mëhershme që bëhet brenda grupit parlamentar për t’u caktuar jo njerëzit që gjithmonë e marrin fjalën dhe jo çdoherë janë të përgatitur për temat, por domosdoshmërisht janë në një linjë të caktuar me shefen e GP të LVV-së”, ka shtuar ai.
Abazi u shpreh se Kusari-Lila më së paku përfaqëson ndryshimin përmes të cilit Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet në shkurt të vitit të kaluar.
“Nëse LVV e ka fituar mandatin e dytë me premtimin për ndryshim, atëherë kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV, përfaqëson më së paku ndryshimin. Ajo më së shumti përfaqëson vazhdimin. Për këtë arsye unë nuk e kam votuar”, tha ai.
Abazi ka treguar se cilat kanë qenë kërkesat e tij, të cilat, nuk janë marrë parasysh nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Unë kam bërë propozimin me shkrim, sipas marrëveshjes dhe procedurave, për nisjen e komisionit hetimor për privatizim në shkurt të këtij vitit. Tani ne jemi në tetor unë dhe sot nuk kam përgjigje, absolutisht nuk është proceduar kërkesa për krijimin e Komisionit Hetimor për Privatizimin në Kosovë”, ka theksuar ai.
Sipas Abazit, ai kishte bërë kërkesa që të krijoheshin komisionet, për të cilat kanë folur vazhdimisht, siç është, SHIK.
Pakënaqësi ndaj Kusari-Lilës, Abazi ka shfaqur edhe gjatë konferencës për shtyp të së premtes.