Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se bisedimet Kosovë Serbi kanë zgjatur shumë dhe është koha për përparim ndërsa perëndimi përballet me çështje të tjera të rëndësishme siç është lufta në Ukrainë.
Ambasadori Hill tha se dëshira për përparim është pasqyruar edhe në telefonatat e së martë që zhvilloi Sekretari i Shtetit Antony Blinken me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti si dhe angazhimin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare të Francës dhe Gjermanisë, të cilët siç është thënë, hodhën në tryezë një propozim për një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.
“Ne e mbështesim këtë propozim”, tha ambasadori Hill, por nuk deshi të flasë për hollësi duke theksuar se “u takon evropianëve të flasin për këtë. Por mund të them se evropianët duan që kjo gjë të lëvizë. Qartazi këto janë çështje të vështira, por është e rëndësishme që të dyja palët të kuptojnë se ka gjëra të tjera që po ndodhin në Evropë, për shembull në Ukrainë, dhe është koha për përparim në këtë çështje. Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”.As Parisi dhe as Berlini nuk kanë folur për propozimin i cili sipas presidentit serb, parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozim franko-gjerman.
Ambasadori Hill tha se ka çështje që duhen trajtuar. “Nuk jam i sigurt se kur do të trajtohen, por mendoj se kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme që disa zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin tonë të shtetit, ta bënin shumë të qartë se ne duam të shohim përparim. Po ndodhin shumë zhvillime të rrezikshme në Evropë që lidhen me Ukrainën dhe ne duhet t’i trajtojmë ato dhe shpresojmë që kjo të mund të ecë përpara”.
Ambasadori Hill tha se “presidenti Vuçiç e ka thënë në shumë raste se kjo do të kërkojë që të dyja palët të marrin dhe të japin. Mendoj se ky është qëndrimi i duhur dhe duhet të shohim nëse diçka mund të funksionojë”
Ai tha se ka ndjenjë që “kjo çështje është e hapur për një kohë mjaft gjatë dhe është koha për të bërë pak përparim”. Ambasadori Hill tha se Bashkimi Evropian është zgjidhja më e mirë për Serbinë me gjithë zhgënjimin me zvarritjen e bisedimeve me BE-në.
“Nëse vlerësoj se ku duhet të jetë Serbia në një të ardhme jo të largët, do të thosha se duhet të jetë në Bashkimin Evropian. Dhe do të doja të shtoja se në varësi të asaj që serbët duan të bëjnë, varësisht nga vendimet që marrin, mendoj se një vend i mirë për sigurinë e Serbisë në të ardhmen do të ishte në NATO. Përsëri, i takon popullit serb të vendosë, por mendoj se ky është vendi i duhur për ta në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha ambasadori Hill.
Ndonëse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë.
Ambasadori Hill tha se është i kuptueshëm shqetësimi për varësinë energjetike të Serbisë nga Rusia, por “shumë vende po pësojnë nga vendosja e sanksioneve dhe ka shumë vende të vogla në Bashkimin Evropian që po i zbatojnë besnikërisht sanksionet. Dhe nuk ka qenë e lehtë për ta, por ata e bëjnë këtë, sepse ata e dinë se është gjëja e duhur për të bërë. Mendoj se Serbia duhet ta shikojë mirë këtë çështje, dhe qeveria ime ka qenë shumë e qartë se Serbia duhet të bashkohet me këto sanksione, por në fund të fundit udhëheqja serbe duhet të marrë një vendim. E dini, ajo që po ndodh në Ukrainë është sinqerisht e neveritshme moralisht. Është tërësiht e papranueshme. Nuk mendoj se ky është me të vërtetë një vend i mirë të qëndrosh ulur në vijën ndërmjet të mirës dhe të keqes. Dhe shpresoj që populli serb të arrijë në këtë përfundim”, tha ambasadori Hill./VOA
/TV Malisheva