Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, të hënën ka dëshmuar ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Shatri është përgjigjur për mandatin e tij si ministër gjatë periudhës 2005-2007.

Para deputetëve, Shatri theksoi se për procesin e ndërmarrjeve publike dhe shqopore ka vendosur UNMIK-u, përkatësisht shtylla e IV e këtij misioni dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).

Shatri tha se qeveria në atë kohë ka pasur kompetenca të kufizuara. Ai tha se me sa i kujtohet, qeveria e atëhershme ka dhënë një hua për KEK, 8 ose 10 milionë euro.

Shatri: Për KEK-un s’na ka pyetur askush, UNMIK ka vendosur

“Sa i përket ndërmarrjeve publike, në këtë rast për KEK-un ka vendosur UNIMIK-u përkatësisht Shtylla IV e këtij misioni, duke filluar prej emërimit të Bordit, ku kanë qenë struktura të përziera, drejtori gjeneral e të tjerë. Kështu që Qeveria as nuk është informuar për veprimet që janë bërë, për blerjet, për shitjet, investimet e as për donacionet që kanë ardhur. Ne kemi mundur me marrë informata prej kureshtjes çka na ka interesuar me ditë, por nuk kanë raportuar kush dhe s’na ka pyetur askush. Pra, s’kemi qenë kompetent me u marrë me atë çështje dhe përgjigja ime deri këtu mund të jetë se nuk dimë më shumë çka ka ndodhur e si ka ndodhur… Me sa më kujtohet mua, ne as nuk kemi ndarë mjete për investime e as nuk kemi qenë faktor mbikëqyrës. I vetmi moment që pakë më kujtohet është ku është insistuar nga Shtylla IV që nga mjetet rezervë të buxhetit t’i jepet një hua KEK-ut, por nuk më kujtohet saktë se a ka qenë 8 milionë apo 10”, theksoi Shatri.

Deputeti Arbër Rexhaj ngriti çështjen e importit të e energjisë elektrike. Sipas tij, Kosova ka importuar rrymë prej kompanisë GEN në Slloveni, e jo nga GEN-i në Beograd.

Rexhaj: KEK-u nuk ka importuar rrymë nga GEN-i në Beograd

“Kam një koment, por edhe një pyetje. Flitet këtu prej deputetëve, por në fakt duhet ditur që jemi në një Komision Hetimor dhe nuk mund të bëjmë aludime të pasakta ose pastaj të dalin verifikime të tjera. KEK-u ka importuar rrymë nga GEN-i slloven dhe jo nga GEN-i në Beograd. Për këtë është duke zhvilluar edhe një komision tjetër hetimor dhe ne i kemi verifikuar nga ai komision listat e sasive të energjisë së importuar. Pra, këtu ka dallim, GEN-i në Beograd dhe GEN-i në Slloveni”, tha Rexhaj.

Për këtë reagoi kryetari i Komisionit, Hajdar Beqa, i cili tha se për këtë çështje do të bëjë sqarime vetë ambasadori Martin Berishaj.

Beqa: Çështjen e GEN-it duhet ta sqarojë ambasadori Martin Berishaj

“Sa i përket GEN-it në Beograd a Slloveni, është mirë ambasadori Martin Berishaj të na i shpjegojë si punëtor i tyre. Por, kur të vijmë te Martini, flasim për këtë. Nuk e dimë si ka qenë atëherë”, theksoi Beqa.

Lidhur me importet e energjisë elektrike në atë kohë, Shatri tha se s’kanë pasur kompetenca as për blerje e as për shitje të energjisë elektrike.

Shatri: S’kemi pasur kompetenca për blerje e shitje të energjisë

“Meqenëse kam qenë anëtari i Qeverisë, ekzekutivi për blerje dhe shitje të energjisë as një herë as një kompetencë s’e ka pasur, absolutisht as një. Kur është kërkuar ndonjë herë ndonjë për intervenime të vogla me mjete kur kanë munguar për furnizim, është bërë kërkesë përmes UNMIK-ut dhe është dashur me vendosur nga qeveria”, tha ai.

Pas tij janë intervistuar edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli dhe Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë. /TV Malisheva

Share.