Renditja globale e universiteteve në Shqipëri lë për të dëshiruar. Ky përfundim është i papranueshëm nga kryeministri Edi Rama, i cili shton se lajmi i mirë është që kjo renditje nuk pasqyron kapacitete reale që universitete shqiptare i kanë të larta.

“Çështja që shtrohet sot është që pavarësisht përparimit real, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale është e papranueshme. Por lajmi i mirë sipas analizës së bërë është që është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet”, tha Rama.

Ky takim i Ramës vjen një kohë kur prej javësh pedagogët janë në protestë për rritjen e pagave. Edhe pse nuk foli asnjë nga kërkesat e pedagogëve, Rama theksoi rëndësinë e shfrytëzimit më mirë autonominë e tyre për të rritur të ardhurat.

“Puna kërkimore shkencore është një mënyrë për të rritur të ardhurat e universiteteve, ligji u jep mundësi që përveç tarifave të studentëve të kenë mundësi të grumbullojnë të ardhura. Të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që jep ligji për arsimin e lartë për të rritur të ardhurat. Edhe procesi i financimit tregon se jemi në drejtimin e duhur edhe pse duhet edhe më shumë shfrytëzim i hapësirës së autonomisë. Duhet të adresojmë një problem serioz që lidhet me fazën e dytë të reformës. Flasim për sinergji europian dhe për këtë beteja kryesore është e qeverisë në instancat ndërkombëtare dhe përgjegjësia kryesore është e qeverisë për të bindur BE në kuadër të komunitetit të ri të politikave evropiane për të hedhur hapin themelor për të ardhmen e arsimit dhe jo për ta lënë si diçka që do ndodhi vetëm kur çdo të bëheni anëtarë të BE, pasi do të ishte një gjeneratë tjetër e lënë pas mbështetjen e mundshme të BE dhe fondi i sistemit të arsimit të lartë të BE”, tha Rama.

Për Ramë në një kohë kur universitetet kanë autonominë e tyre ka marrë fund koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme.

“Universitetet të jenë aktor në treg dhe magnet për të thithur fonde nga të katër anët. Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme ka mbaruar. Autonomia është liri dhe përgjegjësi”, shtoi kryeministri.

Ai foli edhe për procesin e dixhitalizimit të universiteteve duke thënë se me bashkëpunim dhe koordinim kjo gjë arrihet lehtësisht. Për Ramën ky është një proces i vonuar, në një kohë kur Shqipëria rendite e 8-ta në Europë për shërbimet publike dixnhitale.

“Duhet të përmbushen disa standarde për sa i përket rrugës së tyre dixhitale. Shqipëria rankohet i 8 në Europë për shërbimet publike dixhitale. Përfshirja e universiteteve në këtë rrjedhë dhe integrimi universiteteve me këtë sistem është e thjeshtë për t’u bërë por duhet të koordinohemi dhe për t’u bërë bashkërisht në këtë drejtim”, tha ai. /rtsh.al/

/TV Malisheva

Share.