Përdorimi i dronëve iranianë nga forcat ushtarake ruse, për të sulmuar Ukrainën, tregon se Rusia ka falimentuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ushtarak, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një adresim para popullit.
Sipas tij, sulmet ajrore të dy javëve të fundit kanë shkatërruar gati një të tretën e stacioneve të energjisë në Ukrainë.
Zelensky ka thënë se Rusia me dekada ka shpenzuar miliarda dollarë në komplekset e saj të industrisë ushtarake dhe “në fund ata i janë gjunjëzuar Teheranit për të siguruar dronë të thjeshtë dhe raketa”.
Në adresimin e tij ditor para popullit, ai ka thënë në aspektin strategjik, ky veprim nuk do t’i ndihmojë Rusisë, shkruan REL.
“Kjo gjë vetëm ia dëshmon botës se Rusia është në rrugë drejt humbjes dhe po tenton të tëheqë edhe dikë tjetër në mesin e bashkëpunëtorëve. Ne natyrisht që do të sigurohemi për një reagim të duhur ndërkombëtar”.
Irani e mohon se furnizon Rusinë me dronë, dhe Kremlini ka thënë se nuk ka informacione nëse janë përdorur dronët kamikazë iranianë.
Mirëpo inteligjenca britanike ka thënë të ketë identifikuar dronët e përdorur nga Rusia si pajisje iraniane.
Departament amerikan i Shtetit është pajtuar po ashtu me këtë vlerësim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e ka akuzuar Teheranin për gënjeshtra kur ka thënë se dronët iranianë nuk janë përdorur nga Rusia në Ukrainë.
Moska ka nisur një valë të re të sulmeve javën e kaluar, duke goditur banesa ndërtimi në disa qytete ukrainase.
Zelensky ka thënë se sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të rrymës nëpër Ukrainë dhe “nuk ka hapësirë për negociata” me presidentin rus, Vladimir Putin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
/TV Malisheva