Beqir Gashi, nga Mleçani i Malishevës, një nga rapsodët e njohur shqiptar, i cili kishte bërë emër me zërin e tij karakteristik, duke iu kënduar këngë kreshnikëve, si Mujës e Halilit, por edhe heronjve tanë kombëtarë, këto ditë iu kushtua një këngë nga djemtë e tij.

Ismet dhe Shpëtim Gashi kanë lansuar projektin me titullin “Na jem ti”, tekstin e të cilës e ka shkruar ish-luftëtari i UÇK-së, Rexhep Selimi.

Në një intervistë ekskluzive për TV Malisheva, djali i heroit të kombit, Beqir Gashi, njëherazi edhe këngëtar, Ismet Gashi, tregoi se si ka shkuar i gjithë procesi deri në finalizimin e këngës.

Tekstin e kësaj kënge 10’shi i UÇK-së e ka shkruar kohën e fundit, nga Haga.

INTERVISTA E PLOTË:

 TV Malisheva: Kur e keni kuptuar që po bëhet këngë për prindin e juaj, dhe si e keni pritur këtë iniciativë?

Gjatë kohës sa themeluesi i UÇK-së, njëherësh edhe daja jonë, Rexhep Selimi, na ka dërguar tekstin. Për neve ka qenë kënaqësi me pranu një tekst të tillë duke e marrë parasysh se i përshtatet jetës sonë, si fëmijë të një dëshmori.

TV Malisheva: A iu është thënë menjëherë që ju do të jeni ata që edhe do ta këndoni këtë këngë, apo si ka shkuar kjo çështje deri në realizim?

Po, kënga është bërë enkas për neve, qysh në fillim daja Rexh (po i drejtohem si në përditshmëri) na ka thënë se do ta krijojë një këngë për fëmijët e dëshmorëve dhe ky tekst do të këndohet nga ne.

TV Malisheva: Rexhep Selimi, kur e ka shkruar këtë tekst, kohën e fundit apo më herët?

Siç edhe e ceka më herët Rexhep Selimi është daja jonë si dhe ka qenë mik me babain tonë, Beqirin. Përveç luftës që kanë qenë bashkëluftëtar të UÇK-së, babain dhe dajën Rexh i ka bashkuar edhe kënga, të cilët kanë kënduar nëpër oda për nder të shokëve të rënë në beteja. Teksi i kësaj kënge është shkruar gjatë kohës në Hagë. Ka disa muaj që daja Rexh na ka dërguar përmes një shoku dhe na ka përcjellë neve. Pastaj realizimi i kënges ka marrë pak kohë.

TV Malisheva: Sa ishte e vështirë të pranonit të këndonit një këngë që bëhet fjalë për prindin e juaj?

 Aq sa është e vështirë, aq është edhe krenari për neve, me i kushtu këngë prindit tonë, i cili e ka dhënë jetën për këtë vend. Kjo këngë ani pse është personale për neve, ne e kemi ditur që kanë me ndje edhe të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë.

TV Malisheva: Çfarë emocione kanë qenë kur në dorë e keni pasur tekstin e këngës?

Mund ta përshkruaj si emocion të papërshkrueshëm. Duke e kënduar këtë këngë, mund të them se e kemi ndjerë çdo varg, duke qenë se na kujton fëmijërinë tonë, besoj edhe të gjithë të tjerëve, prindi i të cilëve ka rënë dëshmor për këtë vend.

TV Malisheva: Gjithë ato rreshta të atij teksti sa i përshtaten prindit tuaj, dhe a keni sugjeruar për ndryshim të tekstit?

Jo, nuk kemi sugjeruar për ndryshim të tekstit, pasi i përshtatet plotësisht prindit tonë. Daja Rexh ka qenë bashkëluftëtar dhe mik me prindin tonë, andaj ai e ka njohur mirë si person, kështu që shkrimi i këngës është pasqyrim real i karakteristikave të prindit tonë e jetës sonë si fëmijë të një dëshmori.

TV Malisheva: Cila pjesë e tekstit e definon karakterin e prindit tuaj?

“Se pa komb e atdhe s’nau kish dasht jeta as neve”,  ky varg përshkruan më së miri fjalët e babait. Ai  kur është nisur për luftë siç na tregojnë shokët e babait, babai ka thënë gjithmonë se s’na vyn jeta pa e fitu lirinë e atdheut tonë. Ai gjithmonë e ka pasur në gjak trimërinë dhe vendosmërinë për çlirimin e atdheut.

TV Malisheva: Si ka shkuar rrjedha që prej nisjes së këngës, orkestrimit e gjitha pjesëve tjera relizuese?

Ne jemi ndarë të kënaqur me punën e studios e cila ka mundësuar realizimin e saj. Shpreh rastin të falënderoi Hysni Klinakun, aktorët, të cilat i kanë dhënë “jetë” kësaj kënge që të dalë në mënyren më të mirë të mundshme dhe të përcjellë emocionet e forta të këngës.

TV Malisheva: Sa jeni të kënaqur me punën finale të këngës që është bërë?

Jemi shumë të kënaqur duke e marrë parasysh se edhe publiku i gjerë e ka pëlqyer shumë, nga të cilët kemi marrë shumë komente pozitive.

TV Malisheva: A do vazhdoni të sjellni në të ardhmen këngë tjera apo jo?

Po patjetër, në të ardhmen do të sjellim edhe projekte të reja, të cilat shpresoj se do ta kenë suksesin e kësaj kënge.

Intervistuese: Hyrije Telaku

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share.