Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku në ditën e parë të vizitës në Uashington është takuar në Departamentin Amerikan të Shtetit me Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës.
“Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar”, ka thënë ai.
“Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka shtuar Abdixhiku.
Gjatë takimit, Abdixhiku prezantoi pikëpamjet e partisë që ai drejton mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë, duke thënë se koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat.
“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane.Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai edhe një herë u bëri thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë.