Këngëtarja shqiptare Dua Lipa njofton se do të vijë në Shqipëri për një koncert në 28 nëntor, me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë. Artistja do të përmbyllë në Tiranë turneun e saj “Future Nostalgia”.

“Mezi po pres t’ju shoh në Ditën e Flamurit. Shihemi atje”, thotë këngëtarja në një video të shpërndarë në rrjetin social “Instagram”.

Gjatë verës, Dua performoi në Prishtinë, në “Sunny Hill Festival”. Festivali mbylli me sukses 3 ditë argëtim dhe spektakël nga këngëtarët më të mirë shqiptarë e të huaj ndërsa pak javë më vonë “Sunny Hill” dhuroi spektaklin për publikun në Tiranë. Mijëra të rinj ndoqën koncertin në 3 netët që u mbajt në kodrat e Liqenit Artificial.

Koncerti i Dua Lipës përkon dhe me Kryeqytetin Europian të Rinisë ku janë zhvilluar mbi një mijë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore. Vetëm pak ditë më parë, Tirana u shpall fituese për vitin 2023 edhe si “kryeqyteti europian i sportit”. Investimet e shumta në fushën e infrastrukturës, krijimi i mjediseve sportive, bëri që kryebashkiaku Veliaj të merrte iniciativën për të aplikuar që kryeqyteti shqiptar të hidhte kandidaturën si “Qyteti Europian i Sportit 2023” dhe Tirana të shpallej fituese.

 

Share.