Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se janë në pritje të materialit për dokumente personale. Sipas tij, ka mungesë të lëndës së parë, por që pritet që në fund të këtij muaji të ketë furnizim me materiale për patentë-shofer dhe letërnjoftime e pas dy muajve me pasaporta.

Në seancë plenare, Sveçla deklaroi se situata e krijuar pas luftës në Ukrainë, ka ndikuar në furnizimin me lëndë të parë për prodhimin industrial.

Sveçla: Çrregullimi i zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka implikuar ekonomitë botërore

“Çrregullimi i zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka implikuar ekonomitë botërore duke shkaktuar shqetësim masiv global tek të gjitha kompanitë ndërkombëtare, të cilat po dështojnë në përmbushjen e kërkesave në gamë të gjerë të mallrave. Kjo situatë e krijuar si forcë madhore ka atakuar edhe prodhuesit e materialit për dokumente personale. Problemi i mungesës së materialit dhe dokumente është paraqitur në fillim të muajit gusht të këtij viti dhe nuk është e vërtetë që përgjatë tërë këtij viti kemi pasur probleme”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai theksoi se po presin që në fund të këtij muaji të furnizohen me këto materiale.

Sveçla: MPB është në pritje për furnizim në dokumente personale

“Në mesin e gushtit të këtij viti, MPB ka lëshuar urdhër blerje edhe për sasinë shtesë të 30 për qind mbi totalin e kontraktuar që sipas kushteve kontraktuale, liferimi është 40 ditë kalendarike. Mirëpo, për shkak të mungesës së lëndës së parë për material të dokumenteve, duke u thirr në forcë madhore, furnitori ka kërkuar afat shtesë të liferimit. Pra, aktualisht MPB është në pritje për furnizim në dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patent-shofer dhe letërnjoftime dhe pas dy muajve edhe me pasaporta, gjithsejtë 73 mijë copë”, ka shtuar Sveçla.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi derisa ka vazhduar me kritikat për mungesën e këtyre materiale, ka përmendur edhe çështjen e tenderomanisë.

Musliu-Shoshi: A është problem tendoromania në ministrinë tënde?

“Ministër, është shumë e çuditshme qysh lufta në Ukrainë nuk ka shfaq këtë problem në Maqedoni apo në Shqipëri, por vetëm në Kosovë. Për aq sa është e vërtetë apo nuk është e vërtetë, çdo dy muaj është shfaq çdo dy muaj në ministrinë që udhëhiqni ju, ju lutem kërkoni raport nga departamenti adekuat apo shfletoni edhe mediat. Nuk e di a është problem sigurimi i furnizimit të lëndës së parë apo është problem tendoromania në ministrinë tënde “, ka deklaruar ajo.

Për këtë ka reaguar ministri Sveçla, i cili tha se për këtë janë ekspertë PDK.

Sveçla: Sa i takon tendoromanisë, jeni ekspertët

“Sa për tendoromani mendoj që subjekti juaj më së miri mund të na shpjegojë këtë. Kjo është, jo shumë në rregull është. Sa i takon tendoromanisë, jeni ekspertët. Tash unë, po ju them qartë brenda kontratës ekzistuese ne kemi bërë porositë e nevojshme. Furnitori është arsyetu me forcë madhore, e cila parashihet edhe në kontrata”, ka vijuar Sveçla.

Më tej, deputetja e PDK-së deklaroi se llogari për tenderomani kërkon nga Sveçla nga dita kur ai udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme./TV Malisheva

Share.