Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim koordinatoren për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson, me të cilën diskutuan për politikat dhe programin që MKRS ka për rininë dhe përfshirjen e UNKT-së në projekte konkrete që do të realizohen në të mirë të të rinjve të Kosovës.

Ministrja Dumoshi e njoftoi Richardson për punën që po bën MKRS-ja në këtë kohë të vështirë të pandemisë me COVID-19 duke punuar me staf të reduktuar, por që nuk kanë ndaluar vetëm e vetëm që t’u ndodhemi pranë institucioneve kulturore vartëse të MKRS-së, federatave e komunitetit sportiv, si dhe organizatave rinore e të trashëgimisë kulturore.

“Jam duke zhvilluar komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e institucioneve, të organizatave kulturore, të rinisë, sportit e të trashëgimisë. Jam i informuar për së afërmi me problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato dhe që do t’i kenë edhe pas kalimit të pandemisë, andaj kërkoj edhe nga entitetet e OKB-së nën siglën e UNKT-së, mbështetje të çfarëdo forme për MKRS-në dhe këto organizata të cilat do të kenë vështirësi të mëdha. Me një bashkëpunim të MKRS-së me UNKT në këtë rast do t’i ndihmonte drejtpërdrejt këto organizata”, tha Dumoshi.

Ajo tha se mirëpret ndihmën dhe gatishmërinë e UNKT-së për ta përkrahur MKRS-në dhe fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë në vendin tonë, qoftë drejtpërdrejt, por edhe në bashkëpunim edhe me organizatat tjera ndërkombëtare.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNKT-së, Ulrika Richardson, tha se është e interesuar të përkrahë MKRS në fushat e rinisë dhe trashëgimisë dhe u shpreh se është i nevojshëm vazhdimi dhe fuqizimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes UNKT-së dhe MKRS-së./ Tv Malisheva

Share.