Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët po organizon veprimtarinë “Ditët e librit arbëresh”, e cila do të zgjasë tre ditë radhazi dhe do të hedhe dritë mbi aspekte të panjohura të prodhimtarisë studimore, letrare e artistike të autorëve bashkëkohorë të komuniteteve arbëreshe në Itali.
Për herë të parë, protagonistë kryesorë të veprimtarisë do të jenë vetë arbëreshët (studiues, shkrimtarë e artistë), të cilët janë mikpritur nga drejtoresha ekzekutive e kësaj Qendre, prof. Diana Kastrati, si dhe nga një pjesë e stafit të QSPA-së. Janë 15 personalitete të kulturës bashkëkohore arbëreshe nga Kalabria e Sicilia, që përmes ligjëratave të tyre, do të shpalosin disa prej veprave më përfaqësuese të sferës shpirtërore arbëreshe. Atyre u është lënë “skena” akademike për ta prezantuar punën e tyre në vendin amë.
Në emër të grupit arbëresh, presidenti i FAA (Federazione Associazioni Arbëreshë), Damiano Guagliardi ka paraqitur shkurtimisht disa nga hapat e ndërmarrë nga FAA për fushatën e dhurimit të librave dhe materialeve arkivore arbëreshe për QSPA-në. Ata kanë arritur të grumbullojnë 500 libra të dekadave të fundit, të cilët do të jenë pjesë e ekspozitës së çelur sot dhe që në vazhdim do t’i dhurohen QSPA-së.
Arbëreshët kanë shfaqur entuziazmin e tyre të madh për këtë organizim nga ana e QSPA-së, ku për herë të parë i jepen një hapësirë e tillë promovimi në vendin e të parëve, të cilin e konsiderojnë shtëpinë e tyre të vërtetë.
Gjithsej janë tre ekspozitat që i paraprinë kuvendit “Ditët e librit arbëresh”: e para, me 500 libra të dekadave të fundit të sjella nga vetë arbëreshët, ku pjesa më e madhe do t’i dhurohen bibliotekës së QSPA-së, e dyta, me fotografi mbi jetën e gruas arbëreshe dhe e treta me krijime, piktura të bëra nga një artiste e re arbëreshe, mbi Danten e udhëtimin e tij./ATSH