Pas uljes së intensitetit të reshjeve edhe situata është më e qetë gjatë ditës së sotme dhe aktualisht, vetëm rruga Mirushë-Gurbardh është e pakalueshme, pasi ura mbi liqenin në Mirushë, vazhdon të jetë e mbuluar nga uji.

Kështu është bërë e ditur sot nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pas inspektimit të gjendjes në terren.

Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Shqipron Shala, ekipet komunale, në krye me kryetarin e Komunës, Ekrem Kastrati, gjatë dy ditëve kanë qëndruar në terren dhe afër qytetarëve, duke intervenuar në vendet ku ka pasur më shumë shqetësime për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Po ashtu edhe të gjitha njësitë përgjegjëse, si Policia e Kosovës, njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe njësia e Urgjencës, kanë qenë dhe janë në krye të detyrës, duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme emergjente për qytetarët.

Gjatë dy ditëve të kaluara, si pasojë e erërave të fuqishme dhe shiut të rrëmbyeshëm, janë shkaktuar disa dëme të cilat do të vlerësohen nga komisionet përkatëse komunale.

Përndryshe, në asnjë rast nuk është shënuar ndonjë incident apo rrezikim i jetës së qytetarëve.

Ekipet përgjegjëse komunale, vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe situata është duke u monitoruar në vazhdimësi.   /TV Malisheva

Share.