Kryetari i Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për neglizhencë për menaxhimin e gjendjes me koronavirus në Komunën e Malishevës, si vatra më e madhe deri më tani e kësaj sëmundjeje të rrezikshme.

Ai ka thënë se Komuna e Malishevës ka respektuar udhëzimet nga niveli qendror, por Qeveria Kurti nuk i ka marrë seriozisht situatën me COVID-19 edhe pas një muaji.

“Prej fillimit, Malisheva ka pasur prej fillimit me më së shumti të infektuar dhe deri në ditët e fundit nuk është vizituar nga askush. Sikur të alarmonin me kohë, qeveria qendrore dhe të ofronin ndihmë, situata do të ishte ndryshe. Vizitat e kryeministrit janë të vonuara, pas një muaji qëkur Kosova po ballafaqohet me pandeminë. Qytetarët e Malishevës nuk e harrojnë sjelljen dhe trajtimin që kanë pasur deri më tani”, tha Limaj në Debat Plus në TV Dukagjini.

Sipas Limajt, nuk janë marrë masat me kohë sa i përket hyrjes së njerëzve në Kosovë dhe për këtë arsye koronavirusi u zgjerua edhe në Komunën e Malishevës, e cila prin sipas të dhënave të fundit të IKSHPK-së me 61 raste me COVID-19.

Ai ndërkaq ka lavdëruar punën e IKSHPK-së në menaxhimin e gjendjes me koronavirus, teksa ka kritikuar për numrin e ulët të testimeve.

“Kemi dy mijë testime. Ftesa ime është që të bëhen sa më shumë testime”, tha Limaj

Share.