Bashkimi Evropian ka kërkuar që të merren “masa të përshtatshme” kundër atyre që janë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) publikoi një raport në të cilin akuzon regjimin sirian.
OPCW me qendër në Hagë, tha në një raport të publikuar dje se ushtria e presidentit Bashar al-Assad ishte përgjegjëse për sulmet kimike në Siri të kryera dy vjet më parë.
“Personat e identifikuar si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike duhet të përgjigjen për këto akte të turpshme,” tha sot ministri i Jashtëm i Bashkimit Evropian Josep Borrell në një deklaratë në emër të 27 shteteve anëtare.
BE ka vendosur tashmë masa kufizuese kundër zyrtarëve të lartë sirianë dhe shkencëtarëve për rolin e tyre në zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike dhe është gati të konsiderojë futjen e masave të reja nëse është e nevojshme.
“Bashkimi Evropian është i vendosur që kjo shkelje e dukshme e parimeve themelore të Konventës së Armëve Kimike do të marrë përgjigjen më vendimtare nga shtetet nënshkruese,” tha Borrell.
Në prill 2017, dy aeroplanët dhe një helikopter i Forcave ajrore siriane hodhën bomba me sarin dhe klor në Al-Latamin, një qytet verior në provincën e Hami, ku rreth 100 persona vdiqën.
Damasku zyrtar kritikoi sot raportin e OPCW, duke thënë se ai përmban konkluzione të fabrikuara me qëllim të fajësimit të qeverisë siriane.
“Siria e hedh poshtë këtë raport dhe mohon kategorikisht se është përdorur gaz helmues në Al-Latamini ose ndonjë qytet ose vendbanim tjetër sirian,” thuhet në deklaratë, transmeton TvMalisheva/