Përderisa infeksioni me COVID-19 po arrin pikun në botë, shkencëtarët vazhdojnë të hulumtojnë kurën e këtij infeksioni, dhe trajtimi i infeksionit me plazmën konvaleshente të personave të shëruar nga COVID-19 duket premtuese.
Pas kalimit të infeksionit të shkaktuar nga Sars-CoV-2, në plazmën e të shëruarit mbeten antitrupat kundër virusit të cilat e neutralizojnë dhe mposhtin virusin në rast të infeksionit. Pikërisht, kjo plazmë e pasur me këta antitrupa është subjekt i hulumtimeve të fundit në luftën kundër COVID-19.
Javën e kaluar FDA ka dhënë aprovimin për zhvillimin e hulumtimeve të mëtutjeshme për testimin e kësaj terapie tek personat e shëndoshë, ndërsa është në pritje edhe aprovimi për testimin e të sëmurëve lehtë, për të shmangur nevojën për ventilim mekanik. Patologu Aaron Tobian nga John Hopkins shprehet optimist për këtë formë të trajtimit duke thënë që mund të jetë mënyra më e mirë për kontrollin e infeksionit deri në zbulimin e vaksinës.
Ky lloj trajtimi mbështetet edhe nga një hulumtim pilot në Kinë për efikasitetin e trajtimit me plazmë konvaleshente që jep rezultate premtuese. Dhënia e 200mL të plazmës së personave të shëruar, krahas trajtimit mbështetës, ka përmirësuar simptomat klinike dhe parametrat laboratorik të të infektuarve mesatarisht tri ditë pas transfuzionit të plazmës. Por doza optimale, koha e trajtimit dhe benefitet definitive klinike duhet të vërtetohen me hulumtime të randomizuara klinike.
Ky trajtim është përdorur që nga vitit 1890 për të trajtuar sëmundjet si SARS, Ebola, H1N1, polio dhe tani përveç në Hopkins, kjo metodë po testohet edhe në shumë shtete të botës për të trajtuar COVID-19.

Share.