Koronavirusi tash e disa javë ka përfshirë edhe shtetin e Shqipërisë, ku deri më tani nga ky virus kanë vdekur 23 qytetarë.

Ky virus si në çdo shtet tjetër edhe në Shqipëri ka prekur sportin, e sidomos futbollin ku kampionatet janë pezulluar tash e disa javë, përderisa nuk dihet se kur do të rifillojnë.

Kryetari i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se kjo pandemi ka ndikuar shumë në futbollin botëror, e sidomos atë shqiptar duke ditur edhe nivelin e tij.

Duka: Futbolli në Shqipëri në një situatë të rëndë

“Futbolli si e gjithë shoqëria po kalon një fazë të vështirë, një fazë të papërcedentë. Kurrë nuk jemi mësuar që aq më shumë njerëzit e futbollit të rrinë mbyllur, janë mësuar të respektojnë rregulla loje në një fushë të mad he 110 me 70, por jo rregulla loje brenda mureve të shtëpisë. Është një situatë e papërcedentë, e pazakontë e vështirë të cilën pres që të mbarojë jo vetëm unë por çdo njeri që merret me futboll”, tha fillimisht Duka.

Duka foli për debatin e fundit në mes të qeverisë shqiptare dhe FSHF-së, duke pretenduar se kishte një mendim ndryshe nga drejtuesit e shtetit, kështu duke kërkuar një ndihmë, por që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Duka: Qeveria e Shqipërisë ende nuk na ka ndihmuar

“Jo vetëm unë por e gjithë bota e futbollit mendon se duhet të mbështetej financiarisht në këtë situatë të vështirë, për të siguruar një minimum jetik të njerëzve të futbollit, të futbollistëve të trajnerëve, punonjësve tjerë sportiv dhe jo për të kërkuar lukse…Qeveria shqiptare të paktën deri tani nuk ka marrë ndonjë vendim për të bërë një mbështetje financiare gjë që për ne është konsideruar e padrejtë dhe kemi pasur një qëndrim ndryshe”, theksoi ai.

Sa i përket lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë, Duka u shpreh se ka kontakt të vazhdueshëm me ata dhe se është një fat i mirë që asnjë nuk është prekur nga ky virus dhe nuk ka probleme shëndetësore gjatë kësaj kohe të pandemisë.

Duka: Lojtarët e kombëtares janë të gjithë mirë

“Lojtarët e kombëtares janë në të njëjtën situatë. Të të gjithë janë në karantinë të gjithë nuk mund të jenë të lumtur nga kjo situatë, por ajo që mund ta bëjë më të lumtur është fakti që asnjë nga ata nuk është infektuar dhe nuk ka pasur probleme shëndetësorë, kështu që le të themi gjysma e të keqes. Por dihet dëshira e tyre dhe të gjithë të tjerëve të kthehen të luajnë dhe të kthehen në fushën e gjelbër”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Duka theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi duke u shprehur se ai për momentin është në pozitë më të mirë duke pasur parasysh ndihmën që FFK ka marrë nga Qeveria e Kosovës.

Duka: Jam në kontakt me Agim Ademin

“Vazhdimisht shkëmbejmë tekste me Agimin dhe e kam pyetur dhe më ka pyetur për situatën. Në ditët e fundit ka fol në pozitat e superiores sepse qeveria ka vendosur ndryshe dhe ka dhënë një buxhet të paktën për sportin në përgjithësi në Kosovë, ndërsa qeveria shqiptare nuk e ka menduar këtë gjë dhe nuk e ka menduar këtë fond”, deklaroi ai.

Duka në fund dha edhe një lajm tjetër, duke u shprehur se UEFA ka vendosur që të gjitha kampionatet të përfundojnë më së largu deri në fund të korrikut, apo në fillim të gushtit, mirëpo në rast se një gjë e tillë nuk mund të ndodh sipas Dukës të gjitha Federatat kanë të drejtë të marrin vendime të pavarura.

Duka: Shpresojmë ta përfundojmë kampionatin

“Ky është vendimi i fundit i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që kampionatet në tërë Evropën të përfundojnë në fund të korrikut ose në ditët e para të gushtit. Unë uroj që të na lejoj kjo pandemi që të kthehemi në fushë dhe ta përfundojmë kampionatin, ti përfundojmë kampionatet në tërë evropën brenda fundit të korrikut dhe para gushtit. Dhe nëse do ti kemi ditët në dispozicion për ta përfunduar do të vazhdojmë më të njëjtën s’kem dhe formulë që kemi nisur kampionatin. Gjasat duket të paktën për Shqipëri që ne do ta kemi kohën për të arritur përfundimin e kampionatit deri në fund të korrikut ose më parë.”, përfundoi ai.

Kujtojmë që kampionati i futbollit në Shqipë ri është pezulluar në javën e 26-të, ndërsa deri këtë javë Tirana renditet e para me 53 pikë, 11 pikë më shumë se ndjekësi më i afërti Kukësi që renditet në pozitën e dytë./Tv Malisheva

Share.