Ish-Papa Benedikti i XVI vdiq në rezidencën e tij në Vatikan, në moshën 95-vjeçare, pothuajse një dekadë pasi është larguar nga pushteti për shkak të shëndetit të dobët.

Ai ka drejtuar Kishën Katolike për më pak se tetë vjet derisa, në vitin 2013, ai është bërë Papa i parë që ka dhënë dorëheqje që nga Gregori XII në 1415.

Benedikti i ka kaluar vitet e tij të fundit në manastirin Mater Ecclesiae brenda mureve të Vatikanit.

Pasardhësi i tij Papa Françesku tha se e kishte vizituar shpesh atje, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

Vatikani në një deklaratë informoi: “Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Informacione të mëtejshme do të jepen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ish-Papa Benedikti i XVI ka qenë 78 vjeç kur në vitin 2005 ishte bërë një nga papët më të vjetër të zgjedhur ndonjëherë.

Për pjesën më të madhe të papatit të tij, Kisha Katolike ishte përballur me akuza, pretendime ligjore dhe raporte zyrtare gjatë dekadave të abuzimit të fëmijëve nga priftërinjtë. Në fillim të këtij viti, ish-Papa ka pranuar se ishin bërë gabime në trajtimin e rasteve të abuzimit kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut midis viteve 1977 dhe 1982. /TV Malisheva

Share.